Seanca ‘për ta ndalur Thaçin’, më 4 shtator

Shefi i deputetëve të LDK-së, Avdullah Hoti, ka bërë të ditur se seanca e jashtëzakonshme kundër ndryshimit të kufijve do të mbahet me datë 4 shtator.

Hoti përmes një postimi ka thënë se mirëpret mbështetjen edhe nga grupet e tjera parlamentare qe mbështesin këtë rezolutë.

Tutje ai ka shkruar se “duhet t’i lëmë anash dallimet tona dhe të bëhemi bashkë për të ndaluar Presidentin që të nxjerrë në pazar territorin e Kosovës”.

Ky është postimi i Avdullah Hotit në Facebook:

Sot kemi mbajtur mbledhjen e Grupit Parlamentar të LDK-së, ku kemi diskutuar përgatitjet për seancën e jashtëzakonshme për nxjerrjen e rezolutës që i ndalon Presidentit dhe kujtdo tjetër të negociojë për tërësinë territoriale të Kosovës. Seanca do të mbahet më datë 4 shtator 2018.

E mirëpres mbështetjen që po i jepet kësaj rezolute edhe nga grupet e tjera parlamentare. Pres që të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës të mbështesin këtë rezolutë.

Duhet t’i lëmë anash dallimet tona dhe të bëhemi bashkë për të ndaluar Presidentin që të nxjerrë në pazar territorin e Kosovës.