Konferenca e SBASHK-ut | Foto: KALLXO.com

SBAShK të shtunën në protestë para ndërtesës së Qeverisë

Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë do të protestojë  të shtunën në shenjë pakënaqësie për miratimin e Ligjit për Paga në Qeveri.

Kjo sindikatë kishte kundërshtuar këtë projektligj pasi sipas tyre është degradues për punëtorët e arsimit.

“Të punësuarit në sektorin e arsimit nga çerdhet e deri edhe në Universitete janë të zhgënjyer me veprimin e Qeverisë, e cila aprovoi Projektligjin për paga duke mos përfillur sa duhet kërkesat e vazhdueshme e të argumentuara të  SBASHK-ut  për pozitë meritore në këtë Projektligj të punëtorëve arsimor”, thuhet në njoftim.

Ata njoftuan se të shtunën me 8 shtator  para ndërtesës së Qeverisë  do të protestojnë kryetarët e shoqatave sindikale të shkollave fillore, të mesme dhe njësive akademike të Universiteteve të Kosovës, anëtarët e Këshillit Drejtues, kryetarët e niveleve komunale dhe të Universiteteve  dhe Kryesia, që përbëjnë numrin prej rreth 1000 pjesëmarrësish në këtë veprim sindikal.

Për këtë aksion, SBAShK ka organizuar udhëtim me autobus nga çdo komunë.

Më poshtë mund të lexoni agjendën e protestës së planifikuar nga sindikata.

Ora 11 e 30 deri në orën 11 e 45 protestuesit bëhen bashkë te Sheshi “Zahir  Pajaziti” ( te Hoteli “Grand”),

Ora 11 e 45 protestuesit në mënyrë të organizuar marshojnë nëpër  Sheshin “Nëna Terezë” deri të ndërtesa e Qeverisë.

Ora 11 e 55  fjalë rasti dhe leximi i kërkesave,

Ora 12 e 30  përfundimi i protestës dhe shpërndarja e protestuesve.