Sa dinin për energjinë dhe privatizimin e hidrocentraleve ministrat Beqaj e Hamza

Emisioni i fundit “Drejtësia në Kosovë” transmetoi hulumtimin e një procesi të dyshimtë ku katër hidrocentrale të Kosovës i janë bartur kompanisë turke KEDS gjatë procesit të shitjes së rrjetit të energjisë.

Ministrat e qeverisë së Hashim Thaçit, të cilët ishin paguar për të garantuar se shteti do të përfitonte nga kontrata, vazhdimisht kanë mohuar përgjegjësinë e tyre.

I pari që ishte  kontaktuar nga DNK-ja për të marrë sqarime ishte Besim Beqaj, ministri që sot drejton Ministrinë e Inovacionit.

Ai nuk ishte përgjigjur në kërkesat e emisionit për të dhënë sqarime për procesin.

Mirëpo ishte ky ministër ai që në Kuvendin e Kosovës në kohën e privatizimit kishte deklaruar se Kosova nuk po privatizon hidrocentrale.

“Shumë shpesh po bëhen krahasime edhe me Shqipërinë, edhe me Maqedoninë… Në strukturën e transaksionit në Maqedoni, përveç që është shitur një pjesë e borxheve të vjetra, është shitur edhe aseti i një hidrocentrali prej 40 megavatesh. Pra, nuk është shitur vetëm Distribucioni, por është shitur edhe gjenerimi në këtë koncept. E kjo nuk ka ndodhur në Kosovë”, kishte thënë Beqaj në Kuvendin e Kosovës në kohën e privatizimit.

Një tjetër personazh i kësaj marrëveshjeje, ministri i tanishëm i Financave Bedri Hamza po ashtu nuk ka pranuar të flasë para kamerave.

Në një bisedë telefonike ai ka thënë se nuk di shumë për këtë kontratë e as për energjetikë. Madje, siç ka thënë ai, nuk di të ndërrojë as një llampë që ai e quan “sijalicë”.

“Jo vallahin krejt çka janë ato janë mbledhje zyrtare të incizume me procesverbale, pjesën dërrmuese të tyre unë s’kam qenë fare. Një pjesë është kryer kur unë kam qenë guvernator për energji, as sijalicën nuk di me ndërruar se le ma shumë. Për financa me kanë qe këtu ku jam, as se kam ditur e as që është biseduar kurrë ajo punë”, ka thënë ministri Hamza.

Ndërsa kompania turke në një përgjigje për Emisionin DNK ka sqaruar në një formë atë çfarë ndodhi në prapaskenë.

KEDS-i ka treguar se së bashku me Distribucionin dhe Furnizimin i janë transferuar edhe kontratat e qirasë/koncesionimit që KEK-u kishte lidhur me operatorë privatë që aktualisht janë duke operuar me to.

“Asetet e përcaktuara për transfer nga KEK-u në KEDS janë ndërtesa administrative dhe e prodhimit që u ishin dhënë koncesionarëve me lizing nga KEK-u me qira mujore prej 7,000 euro, së bashku me marrëveshjen e lizingut dhe marrëveshjen e blerjes së energjisë që ishte miratuar me nënshkrimin e ZRRE-së me çmim 42-50 euro për Mwh të prodhuar”, thuhet në përgjigjen e KEDS-it për “Drejtësinë në Kosovë”.

Kompania thotë se nuk përfiton nga hidrocentralet.

“As KEDS-i që merr qiranë si të ardhur mujore dhe e kthen atë përmes tarifave, e as KESCO që blen energjinë që prodhohet nga këto hidrocentrale me çmim më të lartë se të KEK-ut, nuk ka asnjë lloj përfitimi direkt apo indirekt nga këto hidrocentrale”, thuhet në pergjigjen e KEDS-it.