Ilustrim: Pixabay

Rritja e tensioneve Serbi-Kosovë prek edhe sportin

Marrëdhëniet e përkeqësuara midis Serbisë dhe Kosovës po ndikojnë gjithnjë e më shumë në ngjarjet sportive, duke parandaluar ndeshje që në të kaluarën janë zhvilluar pa probleme.

Pasi Federata e Futbollit e Kosovës ndaloi një ndeshje midis klubit serb “Crvena Zvezda” dhe Graçanicës, në Kosovën qendrore, të djathtët serbë kanë njoftuar se do të bllokojnë rrugët në qytetin serb të Novi Sadit nëse lojtarët e karatesë të Kosovës do të marrin pjesë atje në kampionatin e ardhshëm europian.

Federata e Futbollit e Kosovës refuzoi një kërkesë të “Crvena Zvezdës” për të luajtur një ndeshje humanitare në qytetin me shumicë serbe të Graçanicës më 9 maj, tha kreu i Federatës, Fadil Vokrri, të hënën për mediat.

“Për dy vjet ne kemi dhënë leje për ndeshjen, por këtë vit nuk do ta bëjmë këtë sepse në ndeshjen e fundit ndodhën gjëra që nuk i përkasin sportit. Pati mesazhe ofenduese dhe për këtë arsye ne e kemi refuzuar kërkesën e “Crvena Zvezdës”. Ne gjithashtu kemi informuar UEFA se nuk do të ketë ndeshje,” tha Vokrri për gazetën Koha Ditore.

Në reagimin e tij, kryetari  komunës së Graçanicës Srgjan Popoviq tha se ai u kishte dërguar një letër proteste të gjitha ambasadave në Prishtinë, por gjithashtu edhe OSBE-së dhe UEFA-s, duke e quajtur vendimin “diskriminues dhe të frymëzuar politikisht”.

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, pasi u shkëput de facto në vitin 1999 si rezultat i luftës ajrore të NATO-s mbi Serbinë.

Shumica e vendeve perëndimore, përfshirë këtu edhe Shtetet e Bashkuara, e kanë njohur Kosovën shumë kohë më parë, por shtetësia e Kosovës kontestohet ende nga Serbia dhe Rusia, ndër të tjera.

Më 23 maj 2017, “Crvena Zvezda” luajti një ndeshje humanitare kundër klubit të futbollit të Graçanicës për të tretin vit radhazi. Paratë e mbledhura nga biletat iu dhuruan një spitali lokal. Lojtarët serbë gjithashtu vizituan manastirin aty afër të Graçanicës.

Por Vokrri tha për mediat se thirrjet e tifozëve serbë që brohorisnin “Kosova është Serbi” në ndeshjen e vitit 2017 ishte ofenduese.

Kjo nuk është hera e parë që tensionet Serbi-Kosovës kanë ndikuar në sport. Beogradi u detyrua të anulojë një ndeshje të planifikuar në mars midis ekipeve të vogla të hendbollit për femra nga Serbia dhe Kosova, mes tensioneve në rritje dhe frikës për përplasje midis tifozëve serbë dhe policisë.

Një nga incidentet më të këqija në sport ndodhi në vitin 2014, kur një dron me një flamur që përshkruante një hartë të Shqipërisë së Madhe fluturoi mbi fushë gjatë një ndeshje midis Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd.

Autoritetet serbe shpesh i këshillojnë lojtarët sportivë të vendit të mos marrin pjesë në ceremonitë e marrjes së medaljeve dhe çmimeve nëse janë të përfshirë lojtarët e Kosovës.

Ndërkohë, të djathtët serbë kanë njoftuar se do të protestojnë në Novi Sad nëse lojtarët e karatesë të Kosovës do të marrin pjesë në kampionatin europian.

Ngjarja do të mbahet në midis të 9 dhe 13 majit, por të djathtët kanë njoftuar tashmë se do të bllokojnë rrugët në Novi Sad.

“Ne besojmë se shteti dhe ministritë përkatëse do të veprojnë në pajtim me Kushtetutën dhe do të parandalojnë një turp të paprecedentë – se në Novi Sad pjesa e pushtuar e territorit kombëtar të Kosovës do të përfaqësohet si një ekip kombëtar,” tha Mihailo Janjiq më 5 maj në faqen e internetit të lëvizjes së ekstremit të djathtë 1389.

Ai tha se aktivistët e kësaj lëvizjeje do të bllokojnë të gjitha rrugët kryesore në Novi Sad midis mesditës dhe orës 14:00 ditën e ndeshjes.

“Ne nuk do të djegim apo shkatërrojmë qytetin tonë, por do të tregojmë se si mendon qind e Novi Sadit për këtë turp,” tha ai.

Sekretari i Shoqatës së Karatesë të Kosovës, Nazim Gashi, tha për mediat se nuk kishte arsye që tensionet të rriteshin.

“Ky është një sport dhe unë nuk shoh ndonjë arsye se përse ekipi ynë, si të gjithë ekipet e tjera, të mos marrë pjesë në kampionat,” tha Gashi për Radio Televizionin e Kosovës, njoftoi media më 2 maj.

Zhvillimet e fundit vijnë pas një rritje tensionesh midis Serbisë dhe Kosovës pavarësisht presionit për pajtim nga BE-ja. Arrestimi në Kosovë i kreut të Zyrës serbe për Kosovën, Marko Gjuriq në mars, rezultoi në një ofensivë të zjarrtë diplomatike nga të dy vendet.