Osmani i drejtohet secilit serb kosovar: Kosova është shtëpia juaj po aq sa është e imja

Nga mbledhja e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kushtuar situatës në Kosovë, presidentja Vjosa Osmani u është drejtuar të gjithë qytetarëve të komunitetet serb të Kosovës, duke u thënë se Kosova është shtëpia e tyre po aq sa edhe e saj.

“Për secilin serb që jeton në Kosovë – Kosova është shtëpia juaj po aq sa është e imja. Dua të punoj me secilin prej jush që ta bëjmë shtëpinë ku ju përparoni e kontribuoni vetë për ta bërë vend më të mirë për të gjithë ne”-ka thënë Osmani.

Ajo në këtë fjalim ka theksuar se Kushtetuta e Kosovës dhe legjislacioni në fuqi parashohin mbrojtje të fuqishme për të drejtat e komunitetit serb për të shfrytëzuar, për të përdorur gjuhën në të gjitha nivelet, qoftë nacional apo lokal.

“Gjuha serbe ka statusin e gjuhës zyrtare në të gjithë territorin e Kosovës, derisa arsimi dhe shërbimet e tjera janë të garantuara po ashtu në gjuhën e tyre. Duke njohur rëndësinë e thellë të trashëgimisë kulturore, Kushtetuta jonë i garanton kishës ortodokse nivel të veçantë mbrojteje në vendin tonë…”-shtoi presidentja Osmani.

Këtë deklaratë ajo e bëri pasi kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, tha se Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti ka përndjekur qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë.

“Vetëm nga fillimi i këtij viti ndaj 6 serbëve ka pasur të shtëna dhe askush nuk është marrë në përgjegjësi penale, në dy vitet e fundit ka pasur 434 sulme me motiv etnik ndaj serbëve dhe pronave të tyre, 50 për qind rritje në krahasim me periudhën para Qeverisë Kurti, dhe ne nuk e dimë ende nëse është mbajtur dikush përgjegjës ose është ngritur ndonjë aktakuzë”- tha ajo.

Sipas saj, 11 për qind e qytetarëve në komunat veriore kanë braktisur Kosovës për shkak të ‘kushteve të padurueshme’.

“11 për qind e serbëve janë larguar nga Kosova që nga qeverisja Kurti, që prej se ai erdhi në pushtet, 11 për qind e kanë lënë Kosovën, për shkak të fushatës sistematike e të përhapur ndaj serbe dhe krijimit te qëllimshëm të kushteve të padurueshme të jetesës për ta”- shtoi Bërnabiq.