Rriten raportimet e banorëve të veriut tek Avokati i Popullit

“Funksioni i rolit të Avokatit të Popullit në veriun e Kosovës” ka qenë sot temë diskutimi ne lokalet e kolegjit IBCM në veri  të Mitrovicës.

Ambasadorja Holandeze në Kosovë Gerrie Willems tha se me këtë projekt kanë për qëllim që ta vetëdijësojnë popullatën e kësaj pjesë me mundësinë që ata kanë  për të raportuar rastet tek Avokati i  Popullit.

“Arsyeja e këtij takimi është të bisedojmë dhe t`i trajtojmë situatat e të drejtave të njeriut në veri, dhe gjithashtu kjo është një mundësi e mirë ta forcojmë pozitën e Institucionit të Avokatit të Popullit në këtë pjesë”, tha Willems.

Zëvendësi i Avokatit të Popullit, Mehdi Geci,  tha se janë rritur raportimet e qytetarëve serb në zyrën rajonale të këtij institucioni në veri.

“Parashtrimi i ankesave në zyrën tonë në veri është rritur vitin e fundit për dy përqind, ankesat që vijnë nga kjo pjesë kanë të bëjnë më uzurpime të pronave dhe zvarritjen e lëndëve gjyqësore”, tha Geci.

Tatjana Llazareviq nga portali ‘KOSEV’, tha se gjendja e të drejtave të njeriut në veri nuk është e mirë.

“Të drejtat e njeriut po thyhen çdo ditë në përditshmërinë tonë, e poashtu, edhe në punët tona. Dje janë bërë 3 vite që jemi gjuajtur me armë në redaksinë tonë dhe s`kemi kurrfarë informacioni, çka ka ndodh më atë rast  dhe a ka rast të hapur. Gjithashtu, një veturë na është djegur, Policia e pati raportuar si zjarrvënie në veturë, mirëpo nuk ka treguar se ka qenë e qëllimshme”, ka thënë ajo.

Aleksandër Rapajiq, një përfaqësues i shoqërisë civile tha se gjendja e të drejtave të njeriut në veri nuk është e mirë.

“Mundë të themi se kjo gjendje është duke shkuar e  duke u përkeqësuar për dallim me disa vite me parë. Qytetarët serb në këtë pjesë  nuk u besojnë shumë institucioneve të Kosovës, bile nga një hulumtim i bërë ata as nuk e dijnë që mund ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për t`u ankuar në veri”, theksoi Rapajiq.

Ky projekt është i përkrahur nga Ambasada Holandeze në Prishtinë dhe i implemtuar nga Birn dhe ACDC.