Rrëfimi i Dy Minatorëve për “Trepçën” dhe Politikën

Minatorët e “Trepçës” në vitin 1989 hynë në grevën tetëditëshe në vendet e tyre të punës në nëntokë, duke kërkuar që të mos hiqet autonomia e atëhershme e Kosovës.

Sot minatorët që ende punojnë në këtë gjigant industrial thonë se nuk kanë kushte as minimale për punë, ndërsa politikën e shohin në gjendjen më të keqe që nga paslufta.

Isuf Osmani, punëtor i “Trepçës”, i cili punon aty qysh nga viti 1978 në sektorin e elektoromakinerisë, thotë se kjo ndërmarrje kurrë nuk ka qenë në gjendje më të vështirë.

“Trepça është para falimentimit”, tha ai për KALLXO.com.

Sipas Isufit, edhe pse punëtorët e Trepçës kanë rroga të mira të cilat sillen nga 400 euro e më shumë, atyre nuk kanë se çka ju duhen.

“Jemi pa sigurim shëndetësor, pa sigurim në punë, një lëndim me ndodhë e që janë të shpeshta tek ne, ne duhet vetë t’i paguajmë të gjitha,” tha ai.

Ai tregon se edhe bukën duhet vetë ta marrin në vendin e punës.

“Mos të flasim për vendet se ku punojmë, edhe lypsat në rrugë e kanë më mirë gjendjen se sa ne…bukën duhet ta marrim nga shtëpia, sepse atë që na e sjellin nuk hahet”, tregon Isufi.

Ai thotë se për të dreka e zakonshme është “speca, lang dhe patate që i merr nga shtëpia”.

“Kurrë nuk kemi qenë në gjendje më të vështirë,” thotë Isufi.

M’ka lujtë kapaku i kresë nga ajo që pashë në Kuvend, Avdi Uka

Njëjtë mendon edhe Avdi Uka, ish minator i Trepçës i cili në vitin 1989 kishte qenë grevist.

Në minierën e “Stan Tergut” në vitin 1989 ishin ngujuar 1300 minatorë me kërkesa për mbrojtje të Kosovës.

“Me grevë atëherë nuk arritëm asgjë dhe u dashtë me dal me luftu për këtë vend, për popullin shqiptar, për Kosovën, kurse sot kurrë se kisha pritë që populli jem ia bon popullit të vetë këto të këqija që po bëhen,” shpreh zhgënjimin Avdi Uka që ishte edhe pjesëtaar i UÇK-së.

Ish grevisti i vitit ‘89-ës është i zhgënjyer me zhvillimet në vend në 2 vjetët e fundit si dhe me qeveritarët e këtij vendi.

Për të si qeveria ashtu edhe opozita duhet të marrin sa më parë një vendim në të mirë të vendit, ose të japin dorëheqje të dy palët.

“Këta ose duhet vetë me u bo burra me dhanë dorëheqje, të dy palët, ose me shku në zgjedhje të reja,” thotë Uka.

Ai parashikon një rebelim të popullit kundër politikanëve.

“Populli e rrëzon qeverinë, jo partitë njëra tjetrën, na ka humbë rruga në oborr, e kemi harru ekonominë që jemi të shkelur, por politika na ka hy në kry dhe po merremi me politikë,” shpjegon Uka.

Ai i komenton edhe zhvillimet e djeshme në Kuvend.

“Vetëm dje çka kom pa në Parlamentin e Kosovës, kapaku i kresë m’ka lujtë, jam bërë për doktor, prej politikanëve tanë duke e pa popullin tem duke vutë,” flet me mllef Uka.

KALLXO.com raportoi vazhdimisht dje për atë që ndodhte në seancën e parë të sesionit parlamentar pranveror.

http://kallxo.com/live-nga-kuvendi-2/

Avdi Uka që është 72 vjeçar thotë  se nuk sheh zgjidhje te dhuna dhe te kryeneçësia e politikanëve. Ai kërkon që populli të mos shqetësohet me këto zhvillime pasi që sipas tij ata kanë luftuar për të sjellë politikanë të denjë që t’i përfaqësojnë.

Uka kritikon edhe ligjet që po bëhen në vend, si dhe atë për pensione, sipas të cilit, pensionet do të jepën në bazë të kualifikimeve shkollore që kanë pensionistët.

“Punët e minierave duke përfshi të gjithë sektorët, njerëzit me diploma s’i kanë prekë kurrë me dorë, po na të shkretit, diplomat tona që na i kemi marrë me mund nuk na i njeh kurrkush,” thotë Uka.

Në janar të këtij viti qeveria rriti pensionet bazë të kontributdhënësve nga 140 në 158 euro, duke paralajmëruar verifikimin e shkollimit të pensionistëve.

http://kallxo.com/pensionistet-rritja-si-lemoshe/

Ai thotë se asnjë meritë deri më sot, duke përfshirë edhe pavarësinë e vendit nuk është meritë e individëve po e gjithë popullit të Kosovës.

“Mos ta rreh dikush gjoksin me thënë se është meritë e imja, kjo është meritë e popullit, e studentëve dhe e minatorëve të Kosovës,” thotë ai. [interaction id=”56c8788dee2dfdd36071ca63″]