
Mbledhja e Senaatit të UP-së | Foto: KALLXO.com
Rektori propozon Prorektoren e re të UP-së pas shkarkimit të Teuta Pustinës
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, ka propozuar Antigona Hasanin për Prorektore për marrëdhënie me jashtë të UP-së pas shkarkimit të ish- prorektores Teuta Pustina- Krasniqi e cila ushtronte këtë pozitë për dy vite.
Ky propozim pritet të jetë në shqyrtim në Këshillin Drejtues të UP-së për miratim ose jo.
“Ju e dini që Këshilli Drejtues e ka shkarkuar prorektoren Teuta Pustina. Sipas statutit mua më duhet t’ju informoj se në qoftëse Këshilli Drejtues e voton unë do ta propozoj Antigona Hasanin për prorektore nga Fakulteti i Mjekësisë”, tha rektori i UP-së, Marjan Dema.
Antigona Hasani është profesoreshë asistente në Fakultetin e Mjekësisë në Katedrën e Ortopedisë dhe Anesteziologjisë me Reanimacion. Në vitin 1987 ajo ka përfunduar Mjekësinë e Përgjithshme në Universitetin e Prishtinës, për të vazhduar më pas specializimin në Universitetin e Turqisë “Marmara” për Anesteziologjisë dhe Reanimacionit. Në vitin 2005 ajo merr titullin e Magjistër i Shkencave të Mjekësisë për të vazhduar me pas me doktoratë në Shkup ku dhe e ka përfunduar në vitin 2001.
Propozimi për emërim i profesoreshës Antigona Hasani, ka ardhur pas shkarkimit të ish prorektores Teuta Pustina- Krasniqi, e cila me vendim të Këshillit Drejtues ishte larguar nga pozita për shkak të gjuhës së përdorur në media kur ishte deklaruar për ngacmimet seksuale në Universitetin e Prishtinës.
“Duke pasur parasysh situatën e krijuar pas deklaratave të pamatura të prorektores për marrëdhënie me jashtë Prof.ass. dr. Teuta Pustina- Krasniqi lidhur me çështjen e ngacmimeve seksuale në Universitetin e Prishtinës përmes së cilës ka irrituar opinionin studentor , Universiteti i Prishtinës, distancohet tërësisht nga deklarata e tillë duke konsideruar të njëjtën si shprehje të mendimit të saj personal”, thuhet në vendimin e Këshillit Drejtues të UP-së që ishte siguruar nga KALLXO.com.