Takimi i ministrit Çeku me Këshilli Drejtues të Baletit Kombëtar. Foto: MKRS.

Dyshimet se ministri Çeku shkeli rregulloren për punë e Këshillit Drejtues të Baletit Kombëtar kur emëroi anëtarët e rinj të këtij këshilli

Në fund të tetorit që shkoi, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku emëroi Këshillin e ri Drejtues (KD) të Baletit Kombëtar të Kosovës (BKK).

Emërimi i këtij këshilli u bë disa ditë pasi publikimit të Rregullores nr. 12/2022 për punën e Këshillit Drejtues të Baletit Kombëtar të Kosovës në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës (14.10.2022).

Por, disa ditë pas bërjes publike të përbërjes së re të KD-së së BKK-së u ngritën dyshime se emërimi i këtij këshilli nga ministri Çeku u bë në kundërshtim me Rregulloren nr. 12/2022 për punën e Këshillit Drejtues të Baletit Kombëtar.

Sipas kësaj rregulloreje, pjesë e Këshillit Drejtues (KD) duhet të jenë edhe dy punëtorë të rregullt të Baletit Kombëtar të cilët delegohen nga trupa e baletit e këtij institucioni.

Dyshimet janë se emërimi i dy përfaqësuesve BKK-së në KD është bërë pa pasur një rekomandim nga institucioni që përfaqësojnë, sipas nenit 4 të Rregullores nr. 12/2022.

Koreografi Driton Saqipi, ish-balerin në Baletin Kombëtar, pak ditë pas emërimit të KD-së së BKK kishte reaguar duke thënë se ‘…ministri Çeku shkeli nenin 4 të rregullores me rastin e emërimit të KD-së’.

Në një prononcim për KALLXO.com, Saqipi tha se ministri Çeku shkeli neni 4-të Rregullores nr. 12/2022 për punën e Këshillit Drejtues të Baletit Kombëtar të Kosovës, kur ka emëruar dy përfaqësues nga BKK në KD të këtij institucioni.

“Në nenin 4 (pika 2.4) të kësaj rregulloreje thuhet se në KD duhet të emërohen edhe dy anëtarë punëtorë të rregullt në marrëdhënie pune nga radhët e institucionit të Baletit të deleguar nga trupa e baletit, duke u respektuar barazia gjinore. Dy përfaqësuesit nga BKK janë emëruar nga ministri pa u deleguar nga BKK”- thotë ai.

Për të vërtetuar pohimet e ngritura nga koreografi Saqipi, KALLXO.com ka dërguar pyetje në MKRS nëse emërimi i dy përfaqësuesve të BKK është bërë pas delegimit të tyre nga trupa. Por, MKRS nuk ka kthyer përgjigje për këtë çështje deri në publikimin e artikullit.

Në fillim të këtij muaji, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit publikoi një lajm nga takimi i ministrit Çeku me KD-në e ri të BKK-së.

“Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka pritur në takim anëtarët e Këshillit të ri Drejtues të Baletit, në përbërje nga Fisnik Smani, Lejla Pula, Jeta Musolli, Sihana Vitaku dhe Pajtim Zogaj. Bashkë kanë diskutuar për sfidat që ka aktualisht ky institucion dhe prioritetet e planet për dinamizimin e punës”- thuhet në njoftimin e MKRS, pas takimit të ministrit Çeku me Këshillin Drejtues të BKK-së.

Balerinët Fisnik Smani dhe Jeta Musolli janë përfaqësues të BKK-së në këtë këshill.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në BKK lidhur me dyshime të ngritura nga koreografi Saqipi, por, drejtues të BKK-së nuk janë përgjigjur nëse përzgjedhja e përfaqësuesve të BKK-së në KD-në nga ana e ministrit Çeku është bërë duke u bazuar në nenin 4 të rregullores 12/2022. 

Fisnik Smani që kryeson dhe KD-në e BKK-së nuk ka treguar nëse emërimi i tij dhe Musollit në këshill është bërë pas delegimit nga ana e trupës së BKK-së. 

“Sipas dispozitave ligjore në fuqi, Këshillin Drejtues të BKK e emëron ministri i kulturës. Për pyetjet e adresuara nga ana e juaj, vlerësoj se duhet të parashtrohet kërkesë tek kabineti i ministrit”- ka thënë ai për KALLXO.com.

Ndërsa, Sinan Kajtazi, drejtor i BKK-së ka thënë për KALLXO.com se Këshilli Drejtues nuk është kompetencë e drejtorit (të BKK-së). 

KALLXO.com ka kontaktuar disa prej balerinëve më me përvojë të BKK-së të cilët në kushte anonimiteti thonë se trupa nuk ka mbajtur ndonjë mbledhje për të deleguar përfaqësuesit e baletit në KD, siç kërkohet në nenin 4 të rregullores për punën e KD së BKK-së. 

Në Rregulloren (MKRS) nr. 12/2022 për punën e Këshillit Drejtues të Baletit kombëtar të Kosovës, e cila është publikuar në Gazetën Zyrtare më 14.10.2022, në nenin 4., thuhet se KD-në e BKK-së e emëron ministri i Kulturës prej 5 anëtarëve, një përfaqësues nga MKRS, Shoqëria Civile, Fakulteti i Arteve dhe dy përfaqësues të BKK-së, që sipas pikës 2.4 të këtij neni duhet të delegohen nga trupa baletit.

“Dy (2) anëtarë punëtorë të rregullt në marrëdhënie pune nga radhët e institucionit të Baletit Kombëtar të Kosovës, të deleguar nga trupa e baletit, duke u respektuar barazia gjinore”- thuhet në pikën 2.4 të nenit 4 të Rregullores (MKRS) nr. 12/2022 për punën e Këshillit Drejtues të Baletit kombëtar të Kosovës.

Kjo rregullore ishte hedhur ne diskutim publik (konsultimet.rks-gov.net ) nga MKRS nga 16.08.2022 deri më 05.09.2022.