Kushtrim Mehmeti. Foto: KM.

Kushtrim Mehmeti zgjidhet udhëheqës artistik i Teatrit Kombëtar

Regjisori Kushtrim Mehmeti është zgjedhur udhëheqës artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Mehmeti është kandidati i vetëm i cili ka marrë pikët e mjaftueshme për të marrë këtë post, pas përfundimit të procedurës së rekrutimit; testimit me shkrim dhe intervistës me gojë të kandidatëve që kishin konkurruar në konkursin për këtë pozitë.

Udhëheqësi artistik zgjidhet nga këshilli drejtues i Teatrit Kombëtar.

Vendimi për zgjedhjen e Kushtrim Mehmetit është nënshkruar nga kryesuesja e këshillit drejtues dhe nga një kopje u është dërguar kandidatëve konkurrues të konkursit. Njoftimi për zgjedhjen e Mehmetit është bërë publik edhe në ueb-faqen e MKRS-së.

Intervistimi i kandidatëve është bërë më 4 janar 2023 nga këshilli drejtues i Teatrit Kombëtar në përbërje të Visare Aliut, Ben Apollonit, Shkurte Aliut, Vlora Merovcit, Donika Gashit dhe Majlinda Bregasit e Gresa Pallaskës që vlerësimin e bënë përmes lidhjes online.

Pas mbledhjes së pikëve nga testimi me shkrim dhe intervistës me gojë, Mehmeti është vlerësuar me 74.65 pikë, duke lënë prapa kundërkandidatin e vetëm për këtë post, Sokol Plakollin, i cili u vlerësua me 54.73 pikë.

Teatri Kombëtar që prej katër vitesh ishte me ushtrues detyre të udhëheqësit artistik.

KALLXO.com ka monitoruar procesin e konkursit për zgjedhjen e udhëheqësit artistik.

Sikurse shumica e konkurseve të mëhershme për këtë pozitë, por edhe për zgjedhjen e drejtuesve të tjerë të institucioneve kulturore, edhe ky konkurs nuk kaloi pa “zhurmë’” Procesi i intervistimit të kandidatëve është përcjellë me dyshime për rrjedhje të pyetjeve të testit te kandidatët, ankesa e vendime për ripërtëritje të testit me shkrim për kandidatët.

Intervistimi i kandidatëve konkurrues nisi më 26 tetor 2022, me testimin me shkrim të kandidatëve. Testit me shkrim për këtë konkurs iu nënshtruan: Kushtrim Mehmeti, Sokol Plakolli, Arta Muçaj dhe Zana Hoxha.  Por, problemet lindën gjatë vlerësimit të testit të kandidatit Kushtrim Mehmeti, pasi Gresa Pallaska, anëtare e këshillit drejtues hodhi dyshime se këtij mund t’ i jenë treguar disa prej pyetjeve të testit para se të mbahet testimi.

Ky dyshim dhe tërheqja e saj nga vlerësimi ndërpreu procesin vlerësimit të testit të Mehmetit, pasi tashmë këshilli drejtues kishte bërë vlerësimin e testeve të kandidatëve të tjerë.

Dyshimet e saj Pallaska i mbështeti në faktin se kandidati Mehmeti nuk ishte përgjigjur në asnjë prej pyetje në test që ishin propozuar nga ajo.

Gresa Pallaska nuk ka dashur te flasë lidhur dyshimet e saj për rrjedhje te pikëve te njëri prej kandidatëve konkurrues.

Por, Kushtrim Mehmeti, kandidati për të cilin u ngritën dyshime, ka mohuar se dikush ia ka treguar pyetjet për e testin e mbajtur më 26 tetor 2022.

“Nuk ka asgjë të vërtetë në ato pretendime, dhe i bëj thirrje personit në fjalë t’i drejtohet organeve gjegjëse lidhur me ato pretendime denigruese dhe tërësisht të pabaza. Përndryshe testin e parë e kam kaluar me 67.51 pikë për shkak të pretendimeve për manipulim tërhiqet personi në fjalë dhe pas vendimit të komisionit është kthyer në ritestim gjithë testi, e në të cilin nuk kishte pretendime për manipulim, personi në fjalë mori pjesë dhe unë mora 67.74 pikë, vetë rezultati i ngjashëm tregon që nuk ka asgjë të vërtetë në ato pretendime” – tha ai për KALLXO.com pas përfundimit të procesit të konkursit ku ai doli më i vlerësuari.

Megjithatë, vlerësimi i testit të Mehmetit u bë më 2 nëntor 2022, por pa pjesëmarrjen e Gresa Pallaskës.

Pas vlerësimit Mehmeti doli më i votuari,  me 67.51 pikë dhe i vetmi që plotësoi kushtin për t’u ftuar në intervistë me gojë.

Visare Aliu, kryetare e këshillit drejtues të Teatrit Kombëtar, tha për KALLXO.com se vazhdimi i vlerësimit të testit të Mehmetit pas ndërprerjes dhe pa pjesëmarrjen e Pallaskës është bërë më rekomandimin të MKRS-së.

“Këshilli drejtues ka vazhduar procedurën e vlerësimit të testit me shkrim konform rregullave dhe rekomandimeve të Departamentit te Burimeve Njerëzore të MKRS-së”-ka thënë ajo.

Dyshimet e Pallaskës për rrjedhje të pyetjeve të testit, por edhe ankesat e kandidatëve që nuk kaluar testin më shkrim (26 tetor 2022), bënë që komisioni i ankesave për nëpunësit e shërbimit publik në MKRS të vendosë për ritestimin e kandidatëve (vendimi i datës 2 dhjetor 2022).

Pas vendimit të KANSHP në MKRS, kandidatët u thirrën për ritestim (testim me shkrim) më 14 dhjetor 2022. Por në ritestim u paraqitën vetëm Kushtrim Mehmeti e Sokol Plakolli, të cilët edhe morën pikët e nevojshme për intervistat me gojë. Intervistimi u mbaj më 4 janar 2023. Pas vlerësimit të prezantimit (intervistës me gojë) dhe mbledhjes së pikëve nga testimi dhe prezantimi gjatë intervistave, Mehmeti grumbulloi më shumë pikë duke u zgjedhur udhëheqës artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Që nga qershori i viti 2019 Teatri Kombëtar ka funksionuar me ushtrues të detyrës të udhëheqësit artistik.

Sipas ligjit në fuqi për teatrot, udhëheqësi artistik zgjidhet nga këshilli drejtues me mandat 4-vjeçar.