Këshilli Drejtues i UP-së Sqaron Shkarkimin e Prorektores Teuta Pustina (Dokument)

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës, shkarkimin e prorektorës për bashkëpunim ndërkombëtar Teuta Pustina e ka mbështetur mbi gjuhën e saj të pamatur të përdorur në media rreth ngacmimeve seksuale në UP.

Në vendimin që posedon Kallxo.com me numër protokolli  871, deklaratat e prorektorës Pustina janë vlerësuar të pamatura.

“ Duke pasur parasysh situatën e krijuar pas deklaratave të pamatura të prorektores për marrëdhënie me jashtë Prof.ass. dr. Teuta Pustina- Krasniqi lidhur me çështjen e ngacmimeve seksuale në Universitetin e Prishtinës përmes së cilës ka irrituar opinionin studentor , Universiteti i Prishtinës, distancohet tërësisht nga deklarata e tillë duke konsideruar të njëjtën si shprehje të mendimit  të saj personal”, thuhet në vendimin e Këshillit Drejtues të UP-së.

Në të njëjtin vendim thuhet se Parlamenti Studentor ka kërkuar dorëheqjen apo shkarkimin e proprektorës Pustina- Krasniqi dhe pas shqyrtimit të kërkesës së rektorit, Këshilli Drejtues ka marrë vendim për shkarkimin e saj.

“ Pas shqyrtimit të kërkesës së rektorit, Këshilli drejtues i UP-së, në suaza të përgjegjësive të veta statutare të specifikuara në preambulën e këtij vendimi, me votim të fshehtë vendosi si në dispozitiv të këtij vendimi”, thuhet në vendimin e Këshillit Drejtues të UP-së.

E në dispozitivin e këtij vendimi thuhet se prorektorja Pustina- Krasniqi shkarkohet nga pozita që ka mbajtur për dy vjet.

“ Prof. Ass.Dr. Teuta Pustina, shkarkohet nga pozita e prorektores për bashkëpunim ndërkombëtar në Universitetin e Prishtinës ‘Hasan Prishtina’. Vendimi hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në vendimin e Këshillit Drejtues të UP-së.

Vendimi i Këshillit Drejtues | Foto: KALLXO.com

E vetë Teuta Pustina- Krasniqi kishte reaguar duke thënë se deklarata e saj ishte nxjerrë nga konteksti fjalimin e saj për pozitën e gruas dhe ngacmimet seksuale në institucionet publike.

“Ajo që e them me bindje të plotë, është se kam luftuar dhe do të vazhdoj të luftoj ashpër kundër të gjitha formave të ngacmimit seksual në UP, dhe jo vetëm, por njëkohësisht edhe në fuqizimin e rregullit të Kodit të Veshjes dhe atij të Sjelljes”, pati shkruar Pustina në reagimin e saj.

Kallxo.com pati raportuar për kërkesat e organizatave studentore për shkarkimin e prorektores Pustina- Krasniqi ditë më parë.

Kërkohet Shkarkimi i Prorektores për Deklaratat Lidhur me Ngacmimin Seksual

KALLXO.com ka shkruar se nuk parashihet ndëshkim për ngacmim seksual në UP.

http://kallxo.com/ne-nuk-parashihen-ndeshkime-per-ngacmim-seksual/

13 Prill 2018 - 10:32

Qëndresë Mustafa 13/04/2018 - 10:32
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend