KD i UP-së: Nuk është miratuar asnjë vendim për ndryshim të orëve në Fakultetin e Mjekësisë

Këshilli Drejtues (KD) i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka thënë se nuk kanë marrë asnjë vendim për ndryshimin e normës së orëve në Fakultetin e Mjekësisë (FM).

“Këshilli Drejtues nuk ka marr asnjë vendim për ndryshimin e normës në Fakultetit të Mjekësisë, as propozim”- ka thënë Altin Sahiti, kryetar i KD-së.

Të njëjtën gjë e ka thënë edhe anëtari Naser Kabashi.

“Ka qarkullu se kinse Këshilli Drejtues paska miratu një vendim, fjala është për Fakultetin e Mjekësisë. Unë vetëm desha të them se KD nuk e ka miratu asnjë vendim për të cilën ne e kemi përcaktu normën ose propozimi është dakordu, kemi qenë shumica këtu dhe nuk kemi marrë vendim”- ka thënë ai.

Javën e kaluar, Rron Gjinovci nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka thënë se KD ka tentuar të marrë vendim për ndryshimin e orëve në FM.

“Në dy javët e fundit ka qarkullu një vendim i Këshillit Drejtues, i cili nuk është miratu për shkak të reagimit tonë dhe bërjes publike në media. Sa afër kanë qenë për me e bo veç një orë ligjëratë obligative për Fakultetin e Mjekësisë”- ka thënë Gjinovci.

Këshilli Drejtues i Universitetit  të Prishtinës “Hasan Prishtina” sot ka votuar buxhetin për hapjen e 150 pozitave të reja për staf akademik.

Me 7 vota pro dhe asnjë kundër është votuar që të hapen 71 pozita për rekrutimin e stafit akademik me titull asistentë dhe 79 pozita për profesorë asistentë.

Senati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka votuar unanimisht për hapjen e konkursit për 150 pozita të reja për staf akademik.

Senati UP-së votoi pro hapjes së 150 pozitave të reja për staf akademik