Shkarkimi i rektorit të UP-së, krejt çka dihet deri më tani

Naser Sahiti, rektor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, është shkarkuar nga pozita e tij sot.

Në një votim të fshehtë, nga nëntë anëtarët e Këshillit Drejtues (KD) të UP-së vetëm një abstenoi për largimin e Sahitit nga pozita e rektorit.

Kryesuesi i KD-së, Altin Sahiti, konfirmoi që tetë vota ishin për shkarkim të rektorit e vetëm një abstenim.

Menjëherë pas publikimit të rezultatit të votimit, Altin Sahiti bashkë me nënkryesuesen e KD-së, Arbëresha Nela Turjaka, dolën para mediave dhe njoftuan se Luljeta Plakolli Kasumi është emëruar ushtruese e detyrës së rektorit.

Plakolli-Kasumi nga sot e deri në zgjedhjen e rektorit të ri do të mbajë pozitën e ushtrueses së detyrës së rektores së UP-së.

Lidhur me procesin e zgjedhjes së rektorit, nënkryesuesja njoftoi se ka kërkuar që konkursi për rektor të UP-së të shpallet që nga e hëna.

Pas përfundimit të deklarimeve nga udhëheqësit e KD-së, para gazetarëve doli edhe tashmë ish-rektori, por ai nuk dha as edhe një përgjigje për atë se çka ndodhi ose se çka pritet të ndodhë.

Ai tha se nuk do të prononcohet pasi do të fliste më vonë në një emision televiziv.

“Mos pritni se nuk do të prononcohem sepse më vonë do të jem në një emision. U kam premtu që nuk do të prononcohem, u kam premtu atyre” – u shpreh Sahiti.

Ai tutje u kërkoi gazetarëve që të mos presin, pasi edhe nëse do të dilte pas një ore, prapë nuk do të prononcohej.

20 komentet e Këshillit Drejtues

Kryesuesi i KD-së, Altin Sahiti dje, më 20 tetor 2022, në një e-mail të dërguar i ka përmbledhur 20 komentet e ngritura nga ky Këshill, të cilat kishin të bënin me performancën e menaxhmentit të lartë në UP-së.

KD-ja në këto komente ngriti çështje të ndryshme, nga gjetjet e Auditorit e deri te çështja e Sekretarit të Përgjithshëm të UP-së.

Komenti i parë i KD-së është përsëritja e gjetjeve të Auditorit dhe mosadresimi i çështjeve përmes planit të veprimit.

Sipas KD-së, në vitin 2019 kishte 9 gjetje, ndërsa për vitin 2020, kishte gjithsej 16 gjetje. Ndërsa, në vitin 2021 kishte 8 gjetje që sipas KD-së tregojnë qartazi mosadresimin e gjetjeve të Auditorit.

Tutje Këshilli vazhdoi me komentin e dytë, që ndërlidhet me vazhdimin si ushtrues detyre të ish-Sekretarit të Përgjithshëm.

Për këtë vazhdim, në komente u tha se KD nuk ishte njoftuar për një veprim të tillë.

KD pretendon se kjo ka vendosur në lajthitje ligjore Këshillin Drejtues, duke thënë se pati një pozicionim dhe insistim subjektiv për vazhdim të mandatit, sipas KD-së, jashtëligjshëm të ish-Sekretarit.

Komenti i tretë që pati Këshilli Drejtues ishte se pati mungesë të monitorimit të zbatimit të rregulloreve, të cilat u aprovuan nga ana e KD-së.

Mungesa e Strategjisë për ndërkombëtarizim të UP, moskrijimi i kushteve, përkatësisht moskrijimi i potencialit për regjistrimin e studentëve ndërkombëtarë është komenti i katërt që u shtua në listën prej 20 çështjeve të ngritura nga KD-ja.

Tutje, kësaj liste iu shtua si koment edhe mosadaptimi i praktikave të ndryshme ndërkombëtare, të cilat, sipas KD-së, do të përshtateshin në funksion të përmirësimit të cilësisë në përgjithësi dhe ndjekjes së trendit global të dijes.

Komenti i gjashtë u ndërlidh me mosaktivizimin e kartelës së performancës së stafit akademik, që sipas KD-së ka lejuar që cilësia në Universitet të vazhdojë të bjerë.

Këshilli Drejtues i UP-së vazhdoi tutje me komente. Çështja e shtatë që ata ngritën, e që u publikua nga menaxhmenti i lartë i UP-së, është neglizhenca në krijimin e partnerëve strategjikë, duke përmendur këtu industrinë dhe ekonominë e tregut në përgjithësi.

Dështimi në krijimin e mekanizmave për gjenerim të të ardhurave tjera, pra të donacioneve, ishte komenti i tetë.

KD në pikën e nëntë vendosi dështimin që ndodhi sipas tyre në tërheqjen e talentëve, apo siç thuhet tutje, në tërheqjen e mendjeve të ndritura nga e gjithë bota.

Komenti numër 10 nga KD u vendos të jetë mosadresimi i rënies së vazhdueshme të numrit të studentëve.

Sipas Këshillit Drejtues, për 4 vite Universiteti i Prishtinës ka 9 mijë e 400 studentë më pak.

Komenti i 11-të i KD—së  përfshiu problemet dhe mostransparencën në publikimin e shpenzimeve. Këtu KD veçoi problemet që lidhen me prokurimin publik duke marrë si shembull rastin e projektit te drenazhimit të Fakultetit Filozofik, Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore dhe Fakultetit Filologjik.

Mospërmbushja e pozitave kruciale që ushtrojnë kontroll mbi Universitet, që si shembull nga KD u mor stafi i Departamentit të Auditimit të Brendshëm, për të cilin u tha se është lejuar që për disa vite të jetë vetëm një person, është komenti numër 12.

Në komentin e 13-të KD adresoi lejimin e marrjes së mbi-normave për staf akademik. KD theksoi se kjo është bërë duke mbyllur Universitetin për rekrutime të reja në staf akademik njëkohësisht duke i vështirësuar programet në akreditim.

Fakulteti i Mjekësisë dhe problemet që i ka ky Fakultet në lidhje me zbatimin e Rregullores për të Ardhurat Personale është komenti numër 14. Për këtë koment KD tha se pati ikje nga përgjegjësia.

Komenti numër 15 kishte të bënte me mospërfundimin e projekteve kapitale që kanë tejkaluar afatet kohore sipas kontratës. Këtu nga KD u mor si shembull ndërtesa e Fakultetit të Bujqësisë, për të cilin tha se për funksionalizim është marrë direkt Këshilli Drejtues.

Moszbatimi i planit të veprimit për përmbushjen e objektivave strategjike sipas Strategjisë 2020-2022 ishte komenti i 16-të, ndërsa i 17-ti ishte rënia në rangimin e WEBOMETRICS.

Për këtë rënie, KD tha se duke mos pasur një plan konkret në lidhje me përmirësimin e kësaj renditjeje UP nuk ka pasur ngritje në renditje në WEBOMETRICS.

Në numrin 18 u vendos mungesa e vlerësimit të stafit të administratës. KD tha se përpos pozitës së Sekretarit të Përgjithshëm të UP-së, ku, sipas KD-së, edhe përkundër qeverisjes së Universitetit me vërejtje të njëpasnjëshme nga Auditori, UP i kishte dhënë vlerësim maksimal duke kryer një vlerësim subjektiv.

Komenti i parafundit lidhet me vendosjen si drejtor të Zyrës Ligjore të ish-Sekretarit pas pushimit të mandatit te pozita jashtëligjshëm pasi, sipas KD-së, pozita e njëjtë në më shumë se 4 vite nuk ka pasur drejtor.

Ndërsa komenti i fundit i KD-së është për mosmarrje të masave në lidhje me pozitat e hapura për Sekretar të Përgjithshëm të shpallur jashtëligjshëm.

Po ashtu, në këtë koment u tha se edhe pesë pozita për staf administrativ janë shpallur jashtëligjshëm.

Për këto pozita, KD tha se vetëm pas insistimit të tyre ato pozita u rishpallën bazuar në ligj.

20 përgjigje për 20 komente

Menaxhmenti i lartë i UP-së 20 komenteve të KD-së u dha përgjigje një nga një.

Për gjetjet e Auditorit, që ishte komenti i parë i KD-së, në përgjigje u tha se menaxhmenti aktual i UP-së ka marrë mandatin në tetor të vitit 2020.

Sipas tyre, vetë fakti që raporti i auditimit nga ZKA për vitin 2020 kishte 16 gjetje, ndërsa në raportin e ZKA-së për vitin 2021 kishte tetë gjetje, ku gjashtë prej tyre ishin gjetje të përsëritura dhe vetëm dy të reja, tregon përmirësim të performancës në pjesën e Auditimit.

Menaxhmenti i lartë i UP-së tha se kjo është evidente edhe nga vetë konstatimi i KD-së në raportin vjetor të miratuar nga vetë ky Këshill në mars të vitit 2022.

Sipas menaxhmentit në këtë raport konstatohet ndër të tjera se gjatë vitit 2021 ka pasur zhvillime pozitive edhe në drejtim të rritjes së disiplinës financiare, rritjes së kontrollit dhe monitorimit të shpenzimit të mjeteve buxhetore dhe përgjegjësisë financiare.

Menaxhmeti tha po ashtu se është vënë rregull edhe në pagesat e tjera, komunalitë, faturat, fletëpagesat e të tjera.

Tutje menaxhmenti tha se në këtë fushë evidentohet po ashtu rritje në kategorinë ekonomike të investimeve kapitale, por edhe në kategorinë e granteve nga donatorët.

Për këtë deklaratën e fundit, menaxhmenti tha se po ashtu është nxjerrë nga raporti vjetor i miratuar nga Këshilli Drejtues, në mars 2022.

Për komentin e dytë të KD-së, që është vazhdimi si ushtrues detyre të ish-Sekretarit të Përgjithshëm pa njoftim të Këshillit Drejtues, menaxhmenti ka thënë se lidhur me këtë çështje, opinioni publik dhe KD kanë qenë në vazhdimësi të njoftuar dhe janë konsultuar, si lidhur me procesin, ashtu edhe me faktet se ka pasur interpretime të ndryshme dhe kundërthënëse nga autoritetet përkatëse.

Menaxhmenti ka konsideruar se kjo çështje tashmë është adresuar në konsultim me KD-në dhe Zyrën e personelit.

Tutje në përgjigje u tha se në asnjë rrethanë nuk mund të faktohet, siç konstatohet nga KD-ja, pozicionimi dhe insistimi subjektiv për vazhdim jashtëligjshëm të mandatit të ish-Sekretarit.

Përgjigjja e menaxhmentit për komentin e tretë të KD-së, që është mungesa e monitorimit të zbatimit të rregulloreve të aprovuara nga ana e këtyre të fundit, ishte se në të gjitha rregulloret ku parashihet përfshirja e menaxhmentit të lartë, nuk ka munguar as përkushtim dhe as bashkëpunim në përmbushjen e detyrave të caktuara apo të deleguara.

Menaxhmenti tha se në asnjë rrethanë menaxhmenti i lartë nuk mund të ushtrojë më shumë kompetenca sesa i lejon rregullativa në fuqi.

Tutje për komentin e katërt të Këshillit Drejtues, që është mungesa e strategjisë për ndërkombëtarizim të UP, menaxhmeti tha se kjo është pjesë e Planit strategjik të UP-së.

Për këtë menaxhmenti tha se është punuar shumë në arritjen e caqeve të parapara në këtë strategji.

Menaxhmenti tha se sa i përket thirrjes së vitit 2021 të Komisionit Evropian, nuk kishte mundësi aplikimi në platformat ku kishte të drejtë aplikimi Kosova, as në International Credit Mobility (ICM) e as në projektet për ngritje të kapaciteteve (CBHE) që kanë qenë të destinuara për të filluar në vitin 2021.

Menaxhmenti tha se përkundër këtij fakti, duke e ditur se universiteteve të BE-së u kanë mbetur fonde të pashfrytëzuara nga viti paraprak, UP ka arritur rezultate shumë të mira, duke nënshkruar marrëveshje ICM me 25 universitete ndërkombëtare.

Tutje, menaxhmenti renditi disa arritje që janë bërë nga ana e UP në bashkëpunim me ndërkombëtarët.

Edhe për komentin e pestë të KD-së, që është mosadaptimi i praktikave të ndryshme ndërkombëtare, menaxhmenti i lartë i UP-së pati përgjigje.

Menaxhmenti, formulimin e KD-së e cilësoi si të përgjithësuar dhe tha se është e pamundur të identifikohen pikat ku pretendohen ngecje.

Por, megjithatë, menaxhmenti tha se rikonfirmon se ka propozuar dhe zbatuar praktika ndërkombëtare në funksion të përmirësimit të cilësisë.

Për këtë menaxhmenti tha se është evidente nga raportet dhe monitorimet nga palët e treta.

Lidhur me pretendimet e KD-së për mosaktivizimin e kartelës së performancës të stafit akademik, ku u tha se u lejua që cilësia në Universitet të vazhdojë të bjerë, menaxhmenti i lartë tha se nuk ka asnjë analizë e as raport të hartuar nga KD, nga Agjencioni për Akreditim, ose nga ndonjë subjekt tjetër monitorues, ku evidentohen se cilësia po vazhdon të bjerë.

Sa i përket komentit të KD-së, ku u tha se ka neglizhencë në krijimin e partnerëve strategjikë, menaxhmenti tha se ka tregues të mosneglizhencës në krijimin e partnerëve strategjikë, duke renditur këtu disa nga të arriturat e UP-së.

Menaxhmenti, për komentin e Këshillit Drejtues për dështim në krijimin e mekanizmave për gjenerim të të ardhurave të tjera, donacioneve, tha se në të gjitha universitetet që kanë një reputacion dhe performancë të mirë, krijimi i mekanizmave për gjenerim të të ardhurave nga burime tjera / donacioneve është ndër detyrat kryesore të Këshillave Drejtues të atyre universiteteve.

Tutje, menaxhmenti i ktheu përgjigje edhe komentit ku KD pretendoi në dështimin e tërheqjeve të talentëve.

Menaxhmenti tha se për herë të parë gjatë periudhës së menaxhimit të këtij menaxhmenti, në rregulloren për emërimin, riemërimin dhe avancimin e personelit akademik parashihen masa të veçanta për rekrutimin e kuadrove elitare dhe kthimin e trurit.

Prandaj, sipas menaxhmentit deri më tani nuk është argumentuar asnjë rast për moszbatimin e drejtë të rregullores.

Komentet e KD-së lidhen edhe me numrin e studentëve të interesuar për të studiuar në UP. Këshilli tha se ka pasur rënie të vazhdueshme të numrit të studentëve.

Ndërsa menaxhmenti kundërshtoi një koment të tillë duke thënë se nëse analizohet numri i aplikimeve për numrin e vendeve të shpallura, në vitin 2022/2023 UP qëndron më mirë se dy vitet paraprake akademike.

Po ashtu, sipas menaxhmentit nëse prapë analizohet trendi i aplikimeve, menaxhmenti thotë se çdo vit pasues ka pasur më pak aplikime krahasuar me vitin paraprak, përjashtimit vitit 2022/2023, kur ka pasur më shumë aplikime krahasuar me 2021/22.

Përgjigje nga menaxhmenti mori edhe komenti për mosadresimin dhe mosplotësim të vendeve të lira të punës.

Këta të fundit thanë se konkursi aktual për personel administrativ është duke u realizuar me sukses.

Sipas menaxhmentit, bazuar në raportimet nga Zyra e Personelit, konkursi do të përfundohet deri në gjysmë të nëntorit.

Tutje u tha që disa vite personat që pensionohen në administratë, si referentët, laborantët e të tjerë, nuk janë zëvendësuar, duke shkaktuar mosefikasitet të institucionit.

Prandaj, menaxhmenti tha se pajtohet me këtë konstatim, por nuk mund të marrë përgjegjësi për zhvillimet në periudhën para tetorit 2020.

Sa u përket problemeve dhe jotransparencës në publikimin e shpenzimeve, koment ky nga KD, menaxhmenti tha se pas raportimit nga zyrtarët administrativë përgjegjës për problemet lidhur me projektin e drenazhimit, rektori i UP-së ka udhëzuar dërgimin e lëndës tek autoritetet hetuese shtetërore.

Ndërsa, për pretendimet për mospërmbushje të pozitave kruciale, menaxhmenti tha se nuk mund të mbahet përgjegjës për periudhën para tetorit 2020.

Për lejimin e marrjes së mbi-normave për staf akademik, menaxhmenti tha se rekrutimi i personelit akademik është i ndërlidhur edhe me implikimet buxhetore.

Sipas menaxhmentit, nga organizatat e pavarura monitoruese konstatohet se ka hapje dhe rritje të transparencës, e jo mbyllje të universitetit siç pretendohet.

Për problemet me Fakultetin e Mjekësisë, menaxhmenti ka thënë se bazuar në Statutin e UP-së dhe vendimin përkatës të KD-së, përgjegjësia për organizimin, raportimin dhe monitorimin e mësimit është e fakulteteve.

Prandaj, menaxhmenti ka thënë se nuk mund të ushtrojë më shumë kompetenca sesa i janë deleguar nga rregulloret dhe vendimet në fuqi.

Për mospërfundimin e projekteve kapitale që kanë tejkaluar afatet kohore sipas kontratës, ku shembull është marrë ndërtesa e Fakultetit të Bujqësisë, menaxhmenti ka thënë se ndërtimi ka filluar në vitin 2013 dhe është dashur të përfundojë në vitin 2016.

“Pikërisht për shkak të dyshimeve të ngritura dhe mos përfundimit me kohë të projektit, me të marrë detyrën, Rektori ka ndërmarrë masa ndaj zyrtarëve të përfshirë dhe e ka dërguar lëndën në organet e hetuesisë” – thuhet në përgjigje.

Tutje u tha se ndërtesa tani nuk po mund të funksionalizohet për shkak të problemeve të kyçjes në rrjetin elektro-energjetik, për detajet e të cilave tashmë është i njoftuar opinioni publik.

Për moszbatimin e planit të veprimit për përmbushjen e objektivave strategjike sipas Strategjisë 2020-2022, menaxhmenti tha se komisioni për monitorimin dhe vlerësimin e implementimit të strategjisë, i përbërë edhe nga KD, është funksional dhe raporton në periudha të rregullta.

Këto raporte, menaxhmenti tha se në vazhdimësi i janë dërguar dhe janë miratuar nga KD.

Për rënie në rangimin e WEBOMETRICS, menaxhmenti tha se në rangimin e Webometrics, UP rangohet si universiteti më i mirë nga të gjitha institucionet publike dhe private të arsimit të lartë në Kosovë dhe trevat shqipfolëse.

Menaxhmenti tha se UP rangohet në pozitën tre mijë nga 30 mijë institucione arsimore në nivel botëror, pra është në 10% e institucioneve të ranguara lart.

Për mungesën e vlerësimit të stafit të administratës, menaxhmenti tha se përgjegjës për vlerësimin e personelit administrativ janë sekretarët e fakulteteve ndërsa për administratën qendrore Sekretari i Përgjithshëm.

Prandaj, menaxhmenti tha se me rastin e vlerësimit të Sekretarit, rektori ka ushtruar kompetencën që i takon me legjislacionin aktual.

Për komentin e parafundit të KD-së, menaxhmenti tha se sistemimi i ish-Sekretarit në këtë pozitë është bërë në përputhje me rekomandimin në vendimin përkatës të KD-së për ndërprerjen e mandatit të tij.

Ndërsa për komentin e fundit, menaxhmenti tha se në takimin e KD-së në të cilin është shqyrtuar ligjshmëria e konkursit fillestar për Sekretar të Përgjithshëm nuk ka pasur pajtueshmëri për nxjerrje të përfundimit që ai konkurs është i kundërligjshëm.

Sipas menaxhmentit,  bazuar në dyshimet e ngritura dhe me qëllim të evitimit të keqinterpretimeve të ndryshme, rektori i UP-së ka kërkuar nga Zyra e Personelit që atë konkurs ta ndërpresë dhe menjëherë ta shpallë konkursin e ri të hapur për të gjitha palët.

Menaxhmenti tha se konkursi është në proces të realizimit dhe se situatë e ngjashme është edhe në lidhje me konkursin për personel tjetër administrativ.