Regjistroi turkun me identitet të rrem, një muaj paraburgim për zyrtarin e gjendjes civile

Gjykata Themelore e Mitrovicës i ka caktuar një muaj paraburgim të dyshuarit Bujar Preteni, duke aprovuar kështu kërkesën e Prokurorisë Themelore të Mitrovicë

Preteni dyshohet se kundërligjshëm ka regjistruar një shtetas turk në zyrën e gjendjes civile në komunën e Mitrovicës

Me këtë sipas prokurorisë për shkak të dyshimit të bazuar i njëjti ka kryer veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “falsifikimi i dokumentit zyrtar”.

Në kërkesën e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se Bujar Preteni më 30 maj 2018 në ora 17:32, në cilësinë e zyrtarit të gjendjes civile në Komunën e Mitrovicës, në mënyrë të kundërligjshme ka regjistruar në sistemin elektronik të regjistrit qendror të gjendjes civile në Republikën e Kosovës, shtetasin turk Ferhat Balin, duke i dhënë identitet të ri të rrejshëm si Safet Krasniqi.

Gjatë seancës për shqyrtimin e kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit të mbajtur në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, Preteni ka deklaruar se nuk ndihet përgjegjës për kryerjen e veprave penale me të cilat e ngarkon Prokuroria Themelore në Mitrovicë.

Preteni ka thënë se gjatë ushtrimit të punës si zyrtar i gjendjes civile në Komunën e Mitrovicës, bëhen gabime të shumta teknike për shkak të vëllimit të punës dhe numrit të madh të palëve, e për çfarë ai u shpreh se është i lejuar edhe përmirësimi.

Bujar Preteni gjithashtu, u shpreh se nuk e njeh fare personin Ferhat Balin.

Lidhur me masën e caktimit të paraburgimit për të dyshuarit Preteni, mbrojtësi i këtij të fundit, avokati Kapllan Baruti, i propozoi gjykatës që kërkesa e Prokurorisë të refuzohet si e pabazuar.

Avokati Baruti  propozoi që të mbrojturit të tij, të paktën t’i caktohet masa e arrestit shtëpiak apo edhe të aprovohet propozimi për pranimin e dorëzanisë në shumën të cilën gjykata e përcakton.

Sipas avokatit Kapllan Baruti, gjykata në këtë rast do të duhej të merrte parasysh rrethanat lehtësuese, që sipas tij janë se i akuzuari Preteni është person familjar, baba i tre fëmijëve dhe se është mbajtës i familjes.

Gjithashtu avokati Baruti tha se provat të cilat prokuroria e mbështet kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarit Bujar Preteni, nuk qëndrojnë ngase sipas tij, në veprat penale me të cilat ngarkohet i mbrojturi i tij, mungon elementi qenësor i veprës penale, e që u shpreh se është përfitimi i dobisë.

Ndryshe, në kërkesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se Bujar Preteni më 30 maj 2018 në ora 17:32, në cilësinë e zyrtarit të gjendjes civile në Komunën e Mitrovicës,  në mënyrë të kundërligjshme ka regjistruar në sistemin elektronik të regjistrit qendror të gjendjes civile në Republikën e Kosovës, shtetasin turk Ferhat Balin duke i dhënë identitet të ri të rrejshëm si Safet Krasniqi.

Bazuar në kërkesën e Prokurorisë, pasi që shtetasi turk Ferhat Balin është pajisur më ekstrat të lindjes në emër të Safet Krasniqit, të njëjtën e ka prezantuar në Qendrën për pajisje me dokumente në Mitrovicë, ka aplikuar për letërnjoftim dhe është pajisur me letërnjoftim me fotografi të tij por me identitet të rrejshëm.

Tutje thuhet se shtetasi turk, Ferhat Balin, pasi që është pajisur me letërnjoftim ka aplikuar për t`u pajisur me pasaportë të Republikës së Kosovës, mirëpo është zënë në flagrancë nga ana e Policisë.

Me këtë  Preteni, ngarkohet për kryerjen e veprave penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 dhe “Falsifikimi i dokumentit zyrtar” nga neni 434, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Kurse sipas verifikimit të dosjes kriminale për të pandehurin Preteni, në kërkesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, thuhet se i njëjti është i përfshirë edhe në tre raste të tjera në cilësinë e të dyshuarit, për kryerjen e veprave të ngjashme.

Të pandehurit Bujar Preteni, nga gjykatësi i procedurës paraprake, Ali Kutllovci, i është caktuar masa e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një muaji, nga data 1 gusht deri më 1 shtator 2018.