Reagon Prokuroria e Shtetit për Protestën e Kardiologëve
Përderisa punonjësit e Repartit të Kardiologjisë në kuadër të QKUK-së kanë bërë me dije se nesër do të protestojnë në shenjë revolte ndaj hetimeve të filluara nga Prokuroria e Shtetit për disa kardiologë të këtij reparti, kjo e fundit ka reaguar ndaj tyre.
“ Prokurori i Shtetit protestën e paralajmëruar nga disa kardiologë të vendit tonë e konsideron presion për ndërhyrje në punën e pavarur të Prokurorit të Shtetit,” thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Prokuroria njoftoi se i ka zgjeruar hetimet e nisura në vitin 2014 lidhur me Rastin “Stenta” dhe tani po heton edhe disa të dyshuar tjerë.
“Në këtë rast bëhet fjalë për disa mjekë kardiologë, e jo për të gjithë kardiologët në Kosovë, të cilët dyshohen së kanë kryer veprat penale,” thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Kardiologët të cilët janë duke u hetuar dyshohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, marrje të ryshfetit , dhënie të ryshfetit, trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor si dhe ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike.
Sipas prokuriorisë po hetohen edhe për tre persona juridik për shkak të dyshimeve se kanë kryer veprat penale: dhënie e ryshfetit dhe trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor.
Prokuroria ka bërë të ditur se do t’i ftojë të gjithë mjekët e dyshuar që janë të përfshirë në hetime për të dhënë deklaratat e tyre, të sqarojnë dyshimet që ju vihen në barrë dhe për të paraqitur mbrojtjen lidhur me ato dyshime.
“Prokurori i Shtetit kujdeset të sigurojë trajtim të barabartë objektiv dhe pa paragjykime për të gjithë qytetarët e vendit, pa marrë parasysh se çfarë funksione ose profesione kanë…, thuhet me tutje në këtë njoftim.
Në tetor të vitit 2014 KALLXO.com publikoi mesazhet telefonike të mjekëve të dyshuar të rastit “Stenta” në të cilat ata komunikonin mes vete për të dërguar pacientë nga QKUK-ja në klinikat private që trajtojnë sëmundjet e zemrës.
http://kallxo.com/sms-te-e-mjekeve-te-arrestuar/
Në dhjetor të vitit 2014 në emisionin “Jeta në Kosovë” u shfaq hulumtimi për Rastin “Stenta” dhe u debatua për të.
Në qershor të vitit të kaluar, ky emision fitoi çmimin e dytë për gazetari hulumtuese të ndarë nga BE-ja.
http://kallxo.com/jeta-ne-kosove-dhe-kallxo-com-cmim-per-gazetari-hulumtuese-me-stentat/