Qeveria e Kosovës - Foto: ZKM

Qeveria e Kosovës miraton dy rregullore për të drejtat e autorit

Me propozim të ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi, Qeveria e Kosovës ka miratuar sot dy rregullore që kanë të bëjnë me të drejtën e autorit dhe pronën intelektuale, të cilat duhet të mbrohen me ligj.

Përmes një njoftimi për media, MKRS bën të ditur se gjatë mbledhjes së sotme të Qeverisë janë miratuar plotësim dhe ndryshimi i rregullores për ndërmjetësimin e të Drejtës së Autorit dhe Rregulloren për të drejtën e kompensimit të veçantë.

Në ekspozenë e tij, ministri Kujtim Gashi, para kabineti ka thënë se rregullorja e ndryshuar dhe plotësuar, siguron që procesi i ndërmjetësimit në të drejtën e autorit të zhvillohet në mënyrë efektive dhe efikase.

Njëkohësisht, Gashi, sipas njoftimit, ka thënë para kabinetit se rregullorja përcakton afate dhe procedura të qarta dhe të sakta dhe se në këtë aspekt rrit sigurinë juridike dhe ndihmon në zbatimin e të drejtës së autorit dhe të drejtave të përafërta.

“Me këtë rregullore janë trajtuar çështjet kryesore si në vijim: Çështja e fillimit të procedurës së ndërmjetësimit në kontestet e përcaktimit të tarifave të përgjithshme, çështja e propozimit të ndërmjetësuesit në këto konteste dhe çështja e kohëzgjatjes së procedurës së ndërmjetësimit në kontestet në lidhje me përcaktimin e tarifave të përgjithshme”, citohet të ketë thënë ministri Gashi.

Ndërsa për rregulloren për kompensime të veçanta, ministri është shprehur se kjo bëhet me qëllim të krijimit të një sistemi funksional të së drejtës së autorit dhe se mbajtësit e të drejtave do të kompensohen për shfrytëzimin e veprave të tyre nga ana e shfrytëzuesve të të drejtave.

Rregullorja në fjalë detajon se çfarë kompensohet, siç thuhet në njoftimin e MKRS, fjala vjen CD, DVD, disqe të ndryshme, USB, Hard disqe, për disqe të integruara, për video regjistrues, për memorien e TV-ve e deri te ajo e telefonave mobil, pastaj për aparate fotokopjuese varësisht nga numri i kopjimeve që mund të bëjnë dhe për çdo kopje të bërë me pagesë, parashihen saktësisht me anë të kësaj rregulloreje.