Qemajl Mustafa në Gjykimin e Limajt

Prokurori pastaj lexoi një sms të Mehmet Shkodrës për Qemajl Mustafën të vitit 2009 ku Shkodra i thoshte ish-kryetarit të Gjilanit se nëse mirëmbajtja verore e rrugëve nuk anulohej, ai do të publikonte çdo gjë.

Mustafa sipas prokurorit ia kishte kthyer po me një sms Shkodrës.

“Ju do të dëmtoni veten më shumë se Limaj, mos e ekzagjero, do të bëhet mirë. E vetmja gjë që do të bësh është të prishësh punën tënde në PDK. Edhe unë kam investuar qindra-mijëra në kesh dhe kam humbur. Kalo mirë shok,” kishte shkruar Mustafa në vitin 2009.

Prokurori pastaj e pyeti Mustafën nëse kishte investuar 100 mijë euro para të gatshme në rrugën e Gjilanit.

“Gjatë kohës sa kemi qenë në opozitë i kemi investuar ato para për partinë dhe i kam thanë të ndjerit që i kam humbur dhe askush s’po m’i kthen,” shpjegoi Mustafa.

Por ai mohoi se është takuar me Limajn për të diskutuar në lidhje me Mehmet Shkodrën.

“Jo asnjëherë nuk kam folur me Limajn  në emër të Mehmet Shkodrës, por vetëm sa me ja ba qefin mu taku me ministrin Limaj,” tha Mustafa.

Prokurori ia lexoi Mustafës një sms të tij dërguar Shkodrës, ku Mustafa i thoshte atij se ishte i zënë deri pasnesër dhe pastaj do të takohej me Limajn.

Mustafa deklaroi se përgjigje të tilla i ka dhënë shpesh Shkodrës.

Prokurori vazhdoi duke ia kujtuar Mustafës komunikimin e tij me sms me Shkodrën. Pyeti a ju kujtohet  që e ke pranuar një sms nga Shkodra me 30 mars 2009 në të cilin thuhet se ndoshta do të jetë shumë vonë për ne?

“Po, ai ka filluar pastaj nga frustrimi të kërcënohet,” tha Mustafa.

15:07

Qemajl Mustafa pranoi parregullsi gjatë tenderëve për rrugët, por tha se nuk ka fakte që në to ndikoi korrupsioni.

Ish-kryetari i Gjilanit duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit Charles Hardaway në gjykimin e Limajt dhe të tjerëve pranoi se dinte për ndonjë rast të parregullsive gjatë tenderëve për shtrimin e rrugëve.

Prokurori e pyeti Mustafën se pse kanë ekzistuar këto parregullsi.

“Ose komisione jofunksionale për mbikëqyrje ose që besoj më shumë për shkak të përkushtimit jo të bollshëm për shkak se është e njoftun që komisionet për mbikëqyrje do të duhej që gjatë gjithë kohës të mbikëqyrin projektet dhe ndonjëherë nuk e kanë bërë këtë,” tha Mustafa.

Prokurori pastaj kërkoi të dijë nëse korrupsioni ka ndikuar në këto parregullsi, ndërsa Tahir Rrecaj, avokati i Fatmir Limajt e kundërshtoi një pyetje të tillë.

Megjithatë, Mustafa iu përgjigj pyetjes. Tha se “unë thashë kur ka pasë përkushtim të pamjaftueshëm, kjo nuk do të thotë se në prapavi nuk ka pasë ndonjë marrëveshje me ekzekutuesin, por unë nuk kam fakte për korrupsion. I kam suspenduar komisionet në të cilat nuk kam qenë i kënaqur dhe nuk i kam kthyer në punë”.

Prokurori më pas e pyeti dëshmitarin se a njihte biznesmenët që shtronin rrugë në Gjilan, duke u interesuar sidomos për Mehmet Shkodrën njërin prej tyre.

Mustafa tha se e njihte Shkodrën prej vitit 1990.

Avokati i Limajt Tahir Rrecaj kërkoi nga prokurori që dëshmitarit të mos i shtrohen pyetje për Mehmet Shkodrën, pasi ky person tashmë është i vdekur.

Rrecaj tregoi në gjykatë se ka dërguar një parashtresë që të mos pranohet deklarata e Shkodrës dhe sipas tij derisa gjykata të vendosë se a do ta përjashtojë këtë provë, apo jo, prokurori nuk ka të drejtë t’i shtrojë pyetje dëshmitarit në lidhje me ish-biznesmenin.

Por prokurori Hardaway tha se marrja e tij në pyetje nuk ka të bëjë me deklaratën e Shkodrës, por me komunikimin që Mustafa ka pasur me ish-biznesmenin.

Prokurori pas këtij sqarimi e pyeti Mustafën se a i ka kërkuar Shkodra që së bashku ta takojnë Limajn. Mustafa tha se Shkodra ia ka kërkuar këtë gjë shumë herë.

Prokurori pastaj kërkoi të dijë nga Mustafa, nëse Shkodra i ka kërkuar atij ta takojnë Limajn më 19 mars 2009, duke ia lexuar Mustafës një mesazh telefonik të Shkodrës të dërguar në këtë ditë.

“Ai më ka shkruar tri ose katër herë në ditë. SI mund të më kujtohet një sms para tetë vjetësh dhe nëse në telefonin tim ka pasur 3000 sms në muaj,” tha Mustafa.

A të kujtohet se ke qenë në atë takim në mes Mehmet Shkodrës dhe Fatmir LImajt që ju referova më sipër?, pyeti më pas prokurori.

“Dy tri herë kemi tentuar të takohemi me ministrin. Unë i kam kërkuar ministrit të takohemi, sepse ky i ndjeri ka qenë militant i partisë time, ka qenë aktivist i mirë, ka qenë punëtor i madh familjar i mirë, por ka qenë i ngutshëm dhe i frustruar,” tha Mustafa.

Prokurori i tha pastaj Mustafës se a ishe në gjendje të shkoje në një takim të tillë mes Shkodrës e Limajt. “Unë jo,” u përgjigj shkurt Mustafa.

Prokurori pastaj lexoi një sms të Mustafës të dërguar drejt Shkodrës, në të cilin ish-kryetari i Gjilanit thotë se nuk mund të shkonte në takimin e mundshëm Limaj-Shkodra.

“Nesër nuk kam kohë, javën tjetër,” ishte teksti i sms-së së Mustafës.

Prokurori deshi të dijë edhe nëse Shkodra ka shprehur shqetësim për që Mustafa nuk ishte në gjendje të shkonte në takimin me Limajn.

“Ai gjithmonë ka shprehur pakënaqësi me mua, me të tjerët, sepse ai vazhdimisht ka kërkuar punë, ka kërkuar projekte të mëdha, pavarsisht që ai nuk ka pasur kapacitete as teknologjike, as profesionale për punë, përndryshe ai ka marrë pjesë në shumë shpallje, në shumë tenderë dhe këtu e shprehte pakënaqësinë, gjithmonë mendonte se dikush po i bënte padrejtësi,” tha Mustafa.

Mustafa më tutje e vlerësoi biznesmenin Shkodra, por tha se ai nuk i kishte specialitet rrugët.

“E kam thënë edhe publikisht në një emision, i ndjeri ka qenë punëtor i madh, ai është marrë me diçka tjetër, specialitetit i tij ka qenë prerja e drunjve për djegie, e jo ndërtim të rrugëve, por jo me rrugë,” tha Mustafa.

Mustafa pastaj foli për ligjet që rregullonin kompetencat e nivelit qendror dhe atij lokal.

“Kompetencat kanë qenë të rregulluara sepse projektet që kanë pasur të bëjnë me nivelin regjional dhe nacional kanë qenë kompetencë e ministrisë dhe qeverisë, ndërsa të tjerat lidhur me rrugët e fshatrave dhe projekteve të vogla, niveli qendror nuk ka pasë kurrfarë obligimi,” tha Mustafa.

13:01

Ish-kryetari i Gjilanit Qemajl Mustafa tha se takohej me Limajn për t’i bërë presion në lidhje me projektet për komunën.

Qemajl Mustafa pranoi parregullsi gjatë tenderëve për rrugët, por tha se nuk ka fakte që në to ndikoi korrupsioni.

Limaj akuzohet për kohën kur ishte ministër i Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit

“Jam takuar disa herë me Fatmir Limajn për të bërë presion lidhur me projektet e komunës, por nuk i kemi marrë të gjitha projektet që i kemi kërkuar nga ministria,” tha Qemajl Mustafa.

Mustafa u pyet nga prokurori se në takimet e tuij me Limajn a ishte i pranishëm Endrit Shala.

“Ka mundur të jetë aty, por nuk e kam ditur çfarë roli ka. Ka mundur të hyjë ne dhomat ku ka qenë takimi, por s’ka qenë pjesë aktive. Shumë vonë e kam kuptuar se ka qenë këshilltar e në terren ka ndodhë që kam menduar që është shofer apo diçka, por nuk me ka interesuar,” tha Mustafa.

Ai u pyet se a ishte gjithmonë Endrit Shala me Fatmir Limajn.

“Nuk e marr të drejtën me thanë ashtu, por kur jemi takuar me ministrin dhe kur i kemi mbyll projektet, e kemi pas ndonjë ceremoni të vogël dhe në atë stafin e ministrit që kanë qenë pesë deri ne dhjetë njerëz zakonisht ka qenë edhe Endriti,” tha Mustafa.

12:21

Kamerat e medieve vendase janë nxjerrë jashtë sallës së gjykimit, ndërsa ato suedeze janë ende brenda.

Në gjykimin e Fatmir Limajt dhe 4 personave tjerë kamerat u nxorën jashtë sallës së gjykimit në momentin kur në gjykatore u paralajmërua se do të përmendej numri i telefonit të dëshmitarit Mustafa.

Pastaj kamerat u kthyen dhe publiku nuk u përjashtua, pasi prokurori sugjeroi që numri i Mustafës të shkruhej në letër dhe të qarkullohej te palët, pa u përmendur me zë. Këtë e pranoi edhe gjykata.

Prokurori e pyeti Mustafën lidhur me disa telefonata me Fatmir Limajn, Hashim Thaçin e Adem Grabovcin.

Kamerat u urdhëruan të nxirren nga gjykatorja, ndërsa gazetarët po lejohen të qëndrojnë në sallë dhe ta ndjekim seancën e sotme.

Kamerat e ekipit të dokumentarëve suedezë po qëndrojnë në sallën e gjyqit, por gazetari i KALLXO.com thotë se nuk dihet nëse po xhirojnë, apo janë të fikura.

11:51

Dëshmitari Qemajl Mustafa kërkoi që seanca të mos xhirohej nga mediet, pasi atë e konsideroi të ndjeshme.

Mundësinë e kërkesës për mosxhirim Mustafës ia tregoi kryetarja e trupit gjykues Maria Tuma.

Mustafa kërkoi që seanca të xhirohej nga mediet për vetëm 2-3 minuta dhe më pas të mos lejohet xhirimi.

“Publiku në Kosovë keqkuptohet dhe nuk e bën dallimin i dënuar, i gjykuar, i dyshuar dhe kështu mund të njolloset personaliteti,” tha Mustafa.

Gjyqtarja deshi ta lejojë filmimin tërq kohën për një ekip dokumentarësh nga Suedia, pasi edhe vetë është nga ky shtet. Mustafës iu shpjegua se do t’i mbulohej fytyra dhe do t’i ndryshohej zëri gjatë këtyre filmimeve.

Kur ekipi i KALLXO.com reagoi duke thënë se zëri mund t’i ndryshohej dhe fotografia mund t’i mbulohej Mustafës edhe nga ky medium, Maria Tuma lejoi vetëm xhirimet për 3 minuta me kërkesë që të mos fokusohet fytyra e dëshmitarit.

11:25

Kryetarja e trupit gjykues Maria Tuma tha se në rastin Limaj dhe të tjerët do të ketë një gjyqtar rezervë.

Praninë e një gjyqtari rezervë Tuma e arsyetoi me faktin se ky është një proces i madh gjyqësor.

Sipas Tumës gjyqtari rezervë nuk do të flasë, por do të jetë i pranishëm në çdo seancë të gjykimit.

10:35

Ish-kryetari i Gjilanit pritet të dëshmojë në gjykimin ku Fatmir Limaj akuzohet për shpërdorim detyre dhe krim të organizuar.

Mustafa është i pranishëm në gjykatore, por seanca pritet të nisë pas gjysmë ore, pasi po mungon i akuzuari Florim Zuka.

Përveç Fatmir Limajt e Florim Zukës në këtë proces janë të akuzuar po për shpërdorim detyre dhe krim të organizuar edhe Nexhat Krasniqi e Endrit Shala. Pjesë e gjykimit është edhe Shpëtim Telaku.

IMG_2506 IMG_2508

Limaj aktakuzën e konsoliduar në të cilën janë bashkuar rastet MTPT1 dhe 2 më 30 tetor të vitit të kaluar e cilësoi të ngritur me urdhër politik.

http://kallxo.com/fatmir-limaj-kjo-aktakuze-eshte-ngritur-me-urdher-politik/