SMS-të e Rastit Limaj

Ish-kryetari i Gjilanit Qemajl Mustafa për të katërtën herë u gjend në karrigen e dëshmitarit në rastin e njohur si MTPT, ku të akuzuar janë Fatmir Limaj, Endrit Shala, Nexhat Krasniqi, Florim Zuka e Shpëtim Telaku.

Prokurori i këtij rasti-amerikani Charles Hardaway shfrytëzoi të drejtën e tij ligjore për të rimarrë në pyetje dëshmitarin Mustafa.

Hardaway, u fokusua në SMS-të të cilët ishin këmbyer në mes të të ndjerit Mehmet Shkodra dhe ish-kryetarit të Gjilanit.

Prokurori Hardaway i tregoi dëshmitarit Mustafa një SMS ku thuhej ”çfarë të bëj miku im, as mua nuk po më dëgjon askush, i kam treguar atij të kujdeset për ty,” dhe e pyeti nëse i kujtohej të kishte dërguar këtë sms tek i ndjeri Shkodra, ndërsa kjo u konfirmua nga Mustafa.

Prokurori Hardaway vazhdoi marrjen në pyetje të Mustafës duke i treguar përsëri një SMS të 18 korrikut 2009.

“Kryetar nëse dikush ofron çmim më të ulët, atëherë Hatixhja duhet të bëjë disa akrobacione,” thuhej në sms-në e dërguar nga Shkodra te Mustafa.

Mustafa e pohoi se i kujtohej edhe ky SMS.

Hardaway i tregoi pastaj dëshmitarit SMS-në e radhës që Mustafa ia kishte dërguar Shkodrës. Në të thuhej “Do e shohim shok, mund të konkurrosh, ne të tjerët nuk jemi të rëndësishëm”.

Mustafa nuk e mohoi as këtë SMS.

Prokurori Hardaway vazhdoi marrjen në pyetje të dëshmitarit Mustafa duke e pyetur për njohuritë e tij lidhur me tenderët e rrugëve dhe pajisjet që nevojiten për këta tenderë.

“Unë kam njohuri të përgjithshme, por nuk mund të them se i njoh me emër pajisjet që nevojiten për këtë punë,” u përgjigj ish-kreu i Gjilanit.

Pasi pranoi këtë përgjigje, prokurori Hardaway e pyeti Mustafën se si atëherë kishte thënë se Mehmet Shkodra ishte i pakualifikuar për të fituar tenderët për mirëmbajtjen e rrugëve në Komunën e Gjilanit?

“Unë nuk i njoh me detaje makineritë, por i di pajisjet që duhen për punë në rrugë. Në një letër ai thoshte edhe vetë se nuk kishte përgatitjen e duhur, nuk kishte referenca,” u përgjigj Mustafa.

Mustafa edhe njëherë përsëriti se i ndjeri Shkodra ishte i specializuar për prerjen e drunjve, hoteleri dhe naftë.

Prokurori Hardaway, marrjen në pyetje të Mustafës e përmbylli me pyetjen nëse dëshmitarit i kujtohej që Mehmet Shkodra i ishte ankuar atij për Fatmir Limajn që nuk ia kishte dhënë mirëmbajtjen verore të rrugëve, por kjo u mohua nga dëshmitari Mustafa.

Mustafa në procesin që lidhet me ministrin dhe zyrtarët e ish-Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit dëshmoi edhe në muajin mars.

Edhe atëherë foli për SMS-të e shkëmbyer me Shkodrën dhe tenderët që janë pjesë e gjykimit.

http://kallxo.com/qemajl-mustafa-ne-gjykimin-e-limajt/

http://kallxo.com/qemajl-mustafa-perseri-ne-gjykimin-e-limajt/

Në këtë proces gjyqësor Fatmir Limaj akuzohet për shpërdorim detyre dhe krim të organizuar lidhur me tenderët për mirëmbajtjen e rrugëve në Komunën e Gjilanit. Për të njëjtat vepra ngarkohen edhe Nexhat Krasniqi e Endrit Shala. Pjesë e gjykimit janë edhe Shpëtim Telaku e Florim Zuka.

Limaj këtë aktakuzë që nga EULEX-i quhet e konsoliduar pasi në të janë bashkuar rastet MTPT1 dhe 2 më 30 tetor të vitit të kaluar e cilësoi të ngritur me urdhër politik.