Avokati i Ri Shtyn Seancën Ndaj Fatmir Limajt

Kreut të Agjensionit  Kundër Korrupsion, Hasan Pretenit, përkundër se iu desh të presë rreth tre orë nëpër korridoret e Pallatit të Drejtësisë, nuk u arrit t’i bëhet asnjë pyetje, ngase në seancën ku të akuzuar janë Fatmir Limaj dhe të tjerët u diskutuan çështje tjera.

Preteni ishte caktuar të dëshmonte sot si dëshmitar i prokurorisë në rastin që lidhet me dyshimet ndaj Limajt dhe të tjerëve për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë kohës sa Limaj ishte ministrit i Transportit dhe Telekomunikacionit.

Qysh në fillim të seancës, avokati Florent Latifaj, e njoftoi trupin gjykues se ka pranuar autorizim për të mbrojtur Nexhat Krasniqin, që është i akuzuar në këtë rast, dhe deri në seancën e sotme Krasniqi mbrohej nga avokati Bajram Tmava.

Avokati Latifaj përpos këtij njoftimi, trupin gjykues e informoi edhe lidhur me një kërkesë të tij.

“Unë pasi që nuk kam pasur kohë të këshillohem dhe të përgatitem për këtë lëndë që ka mijëra faqe, në bazë të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kërkoj që gjykimi të shtyhet deri në muajin gusht që unë të kem rast të përgatitem që të mbrojturit tim t’i ofroj mbrojtje sa më profesionale”, tha Latifaj.

Pas dy orë diskutimesh në mes të palëve, kryetares së trupi gjykues, Maria Tuma si dhe prokurorit Charles Hardaway, u vendos që gjykimi të shtyhet deri në javën tjetër dhe avokati Latifaj të ketë kohë të përgatitet.

Aktakuza për të cilën do të dëshmojë Preteni e ngarkon Limajn me keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë kohës sa e drejtonte këtë ministri.

Në procesin e njëjtë me Limajn për të njëjtat akuza nga Prokuroria Speciale e Kosovës po ngarkohen edhe Nexhat Krasniqi e Endrit Shala. Pjesë e gjykimit janë edhe Shpëtim Telaku dhe Florim Zuka.