Protesta e punëtorëve të sigurimit | Foto: KALLXO.com

Punëtorët pas Protestës Presin t’u Paguhet Përqindja për Stazh

Punëtorët e sigurimit të Universitetit të Prishtinës nën organizimin e Sindikatës së Sektorit të Pavarur të Kosovës, protestuan para Rektoratit, duke kërkuar pagesën e stazhit për çdo vit të kaluar në punë në vlerën e 0.5 për qind të pagës bazë.

Disa nga protestuesit u takuan me përfaqësues të rektoratit, ndërsa pas këtij takimi, Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Sektorit të Pavarur të Kosovës, doli më optimist.

“Unë besoj se së shpejti këto mjete do të jenë në llogaritë e juaja”, tha Azemi duke iu drejtuar punëtorëve-protestues.

Azemi tregoi se përfaqësues të sindikatës treguan në rektorat argument e tyre pse duhet të paguhet stazhi prej 0.5 për qind të pagës bazë për çdo vit të kaluar në punë.

Kryetari i sindikatës më tutje tregoi se së shpejti do të ketë takim me Kryeministrin Haradinaj.

“Shpresoj se javën e ardhshme do të kem një takim me Kryeministrin dhe do ta përshpejtojmë këtë procedurë” tha Azemi.

Pagesa e stazhit në vlerën e 0.5 për qind të pagës bazë për çdo vit të kaluar në punë është paraparë në nenin 48 të Kontratës Kolektive të Kosovës.

Ky stazh nuk u është paguar 100 punëtorëve të sigurimit të UP-së.

KALLXO.com e paralajmëroi sot protestën për stazhin.