Protesta e psikologëve | Foto: KALLXO.com
Psikologët Protestojnë Para Ministrisë së Arsimit
Dhjetëra studentë të diplomuar në psikologji janë mbledhur sot para Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë me kërkesë të vetme, punësimin.
Psikologët kanë kërkuar që t’u ofrohen më shumë mundësi punësimi siç parashihen me ligj për nevojat e psikologëve në shkolla.
Organizatori i kësaj proteste Labinot Dervishaj akuzoi ministrinë për indiferencë që sipas tij po i lë psikologët jashtë sistemit arsimor.
“Jemi mbledhur këtu për të protestuar dhe shprehur indinjatën tonë të thellë ndaj Ministrisë së Arsimit e cila edhe në këtë fillim të vitit të ri shkollor është treguar indiferente ndaj psikologëve duke mos hapur konkurs për pranimin e psikologëve shkollorë,” tha Dervishaj.
Ndërkaq i diplomuari në psikologji, Labinot Guri nga Kaçaniku vlerësoi se nevoja e shkollave për psikologë shkon paralel me nevojën e tyre për punësim.
“Kërkojmë që shkollat të punësojnë psikologë sepse jo vetëm që ne kemi nevojë për punë, por edhe shkollat kanë nevojë për psikologë. Numri i psikologëve është shumë i vogël në Komunat e Kosovës”, tha Guri për KALLXO.com
Një delegacion i këtyre studentëve u prit në takim nga ministri i Arsimit, Arsim Bajrami i cili u zotua për të lobuar në lidhje me zgjidhjen e problemit të këtyre të rinjve.
Lah Nitaj, këshilltari i ministrit theksoi se punëdhënësit në këtë rast janë komunat dhe jo ministra si dhe mungesa e buxhetit është gjeneza e këtij problemi.
“Ministri është zotuar se në kapacitetin e tij si ministër do të bëj gjithçka që është në fuqinë e tij juridike në Ministrinë e Financave etj.. që me rastin e planifikimit të buxhetit për vitin e ardhshëm të mund të ndikojë që granti për komuna të rritet dhe të bëhet zgjidhje specifikisht për këtë kategori”, shpjegoi Nitaj.
Nitaj gjithashtu dha të dhëna zyrtare mbi numrin e psikologëve momentalisht nëpër shkolla që sipas tij janë 37 gjithsej.