Protesta ne shkollen 7 marsi, Foto: KALLXO.com

Protestë kundër sulmit ndaj mësueses në Prishtinë (Foto)

Me parrullat “Mësuesi është përhapës i dritës”, “Ti nuk je vetëm, gjërat e vështira do t’i kalojmë së bashku”, “Ne i duam mësuesit tanë”, nxënësit dhe mësuesit e prindërit e shkollës fillore “7 marsi” në kryeqytet kanë protestuar në shenjë solidarizimi për mësuesen e therur ditë më parë, Vlora Paci.

E për t’i dalë në krahë ishte edhe kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, i cili tha se duhet më shumë siguri në shkolla.

Rrahman Jasharaj ne proteste, Foto: KALLXO.com

“Uroj që në të ardhmen të mos ketë më situata të tilla dhe të mos kërcënohen as nxënësit as mësimdhënësit e as siguria në shkolla”, tha Jasharaj.

Ndërsa, drejtoresha e shkollës, Shpresa Gashi tha se e ka të vështirë të flas shumë për këtë rast, por tha se “në shenjë solidarizimi është organizuar kjo protestë duke falënderuar pjesëmarrësit”.

Arjeta Krasniqi, prind në shkollën “7 marsi” tha se personi që ka therur mësuesen ka bërë një gjest të tmerrshëm.

“Ajo ka qenë një nënë e dytë për fëmijët dhe ky gjest ka qenë tmerr. Unë e përkrahi protestën e mbajtur dhe më vjen keq që ka shumë pak prindër sepse duhet me përkrahë mësuesen”, tha Krasniqi.

Kurse, njëra nga koleget e mësueses Vlora, Besa Lluka tha se nuk ka pasur asnjëherë ankesa ndaj saj.

“Vetë fëmija ka bërtit mos e prek mësuesen mos e prek mësuesen time, ka qenë shumë shokuse. Nuk e di që ka pas ndonjë konflikt mes mësueses dhe nënës. Ajo ka qenë njëra ndër edukatoret e para në këtë shkollë”, tha Lluka.

Ajo shtoi se mësuesen e njeh mjaftë mirë.

“Unë e kam pas fëmijën tim vet aty dhe kam kalu tepër mirë me të, po si ka ndodh kjo na ka shoku gjithë stafin në shkollë, ky ka qenë një akt çnjerëzor jo vetëm për mësimdhënësit por për gjithë shoqërinë”, thotë ajo.

Mësuesja Vlora Peci, ishte therur tre herë në pjesën e abdomenit nga një prind i kësaj shkolle.

Ndërsa për këtë ka reaguar edhe kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili i uroi shërim mësueses që me dekada punon në Komunën e Prishtinës.