Gjykata Themelore e Pejës - Foto: KALLXO.com

Prokurorja: Inspektori u Dërgua në Dreka e Darka

Në nisje të rigjykimit të Lulzim Çitakut, inspektorit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, prokurorja Sahide Gashi pretendoi se ka fakte për ta dënuar të akuzuarin.

Ajo deklaroi më tutje se dëshmitarët do të tregojnë për drekat e darkat që i dhanë Çitakut për të mos u shqiptuar dënime.

“Prokuroria posedon prova të mjaftueshme me të cilat do të vërtetojë fajësinë e të akuzuarit Çitaku dhe atë në bazë të përgjimeve dhe CD-ve si dhe dëshmive të dëshmitarëve të cilët e kanë dërguar të akuzuarin në dreka e darka për të mos shqiptuar dënime”, tha prokurorja Gashi.

Lulzim Çitaku akuzohet për marrje ryshfeti dhe keqpërdorim detyre, ndërsa Gjykata Themelore e Pejës në vitin 2015 e kishte shpallur të pafajshëm, por më pas Gjykata e Apelit çështjen e Çitakut e kishte kthyer në rigjykim.

Por në seancë, Mahmut Halimi, avokati i të akuzuarit, tha se nuk e di pse është kthyer në rigjykim kjo çështje.

“Nuk e di pse kjo çështje është kthyer në rigjykim, ndoshta Apeli nuk e ka lexuar fare arsyetimin e aktgjykimit”, tha Halimi.

Në seancë dëshmoi Bedri Elezaj, biznesmeni dhe i dëmtuari i këtij procesi që u dha ryshfet për t’i ikur një gjobe për shfrytëzim pa licencë të zhavorrit në separacionin e tij.

Elezaj tregoi se si ndodhi ngjarja.

“Lulzim Çitaku 10 ditë para ditës kritike erdhi në seperacionin tim dhe bëri disa foto, disa ditë më vonë me fotot e tij erdhi kryeinspektori Nuredin Bislimi i cili e plotësoi një procesverbal të cilin edhe e nënshkrova”, tha Elezaj.

Nuredin Bislimi, kryeinspektori i Minierave dhe Mineraleve ishte pjesë e procesit bashkë me Çitakun, por kishte pranuar fajësinë dhe ishte dënuar me 10 muaj burgim dhe me 2.000 euro gjobë, si dhe me dënimin plotësues: ndalim i ushtrimit të detyrës në afat prej 3 vjetësh.

Dënohet Kryeinspektori i Minierave për Marrje Ryshfeti (TV)

Dëshmitari Elezaj tha më tutje se i telefonoi kryeinspektorit Bislimi.

“Të nesërmen e telefonova kryeinspektorin Bislimi dhe i njëjti me tha se dënimi ndaj meje parashihet nga 5000 deri në 50000 euro dhe me tha bjeri mas kësaj pune sepse nuk ka kush të ndihmon. Nga presioni shkova dhe e kontaktova njësitin anti- korrupsion të cilët me treguan se çfarë duhet të bëja”, tregoi Elezaj.

Elezaj tregoi se kryeinspektori ia kërkoi 1 mijë euro.

“Shkova dhe u takova në Prishtinë me kryeinspektorin i cili tha se nuk do të me dënonin nëse unë do ua jepja 1000 euro. Unë kërkova nga ai që të më kërkonin me pak para, mirëpo i njëjti me tha se jemi dy dhe se po të kisha qenë vetë do të kërkoja me pak”, tha Elezaj.

Ai bëri të ditur se paratë i siguroi të nesërmen.

“Paratë ua sigurova të nesërmen dhe i thirra që të vinin t’i merrnin, në ndërkohe njësiti anti-korrupsion me vendosi mjete përgjuese. Pasi i morën paratë e lajmërova policinë të cilët i arrestuan më pas”, tha Elezaj.

Bedri Elezaj kishte treguar për Gazetën Jeta në Kosovë se si u detyrua të japë mitë në këmbim të heqjes së dënimit nga autoritetet shtetërore.

Rrëfimi i Biznesmenit Që Dha Mitë

Në bazë të rekomandimeve të Gjykatës së Apelit është kërkuar që si dëshmitar të dëgjohet edhe tashmë i dënuari Nuredin Bislimi, mirëpo i njëjti nuk ndodhet në Kosovë dhe në pamundësi që të dëgjohet gjykata shtyu seancën për një kohe të pacaktuar.

Lulzim Citaku u deklarua përsëri i pafajshëm për të gjitha akuzat për të cilat po akuzohet.

Çitaku akuzohet së në nëntor të vitit 2013 në cilësi të inspektorit të KPMM-së në fshatin Gremnik të Klinës, në bashkëpunim me inspektorin tjetër tanimë të dënuar, Nuredin Bislimi, i kanë kërkuar 1,000 euro mitë Bedri Elezajt, pronar i kompanisë “Elezaj ShPK” për të mos i shqiptuar gjobë për eksploatim të zhavorrit pa licencë.