Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

AAK kundërshton shkarkimin e bordit të KPMM-së

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka deklaruar se nuk e mbështesin rekomandimin e Komisionit për Ekonomi për shkarkimin e kryesueses dhe anëtarëve të Bordit të Komisionit për Pavarur për Miniera dhe Minerale.

Tahiri tha se pushteti ka ardhur me një premtim që do të depolitizijë bordet dhe se sipas tij, sot bordi po shkakrkohet për shkak se nuk i ka përmbushur kërkesat e Qeverisë.

“Pushteti ka ardhë me një premtim të madh që do të depolitizojë e do sjellë në krye të agjensioneve ekzekutive dhe sot vijmë me një kërkesë për shkarkim se këta persona nuk i kanë përmbushë kërkesat e qeverisë. Nuk duhet me ju hy në hak këtyre njerëzve me i akuzu për shkelje por me tregu se nuk kanë qenë të përshtshëm për qeverinë por jo me ju vendosë etiketa”- tha Tahiri.

“Është e padrejtë të vish në pushtet me një kauzë dhe pastaj ta shkelësh, të gjitha veprimet që kanë ndodhë me borde janë të lidhura me familjarizëm nepotizëm, lidhje politike e shoqëri. Ne këtë vendim e kemi kundërshtu edhe përmes deputetit Lekaj dhe e kundërshtojmë edhe këtu”- shtoi ai.

Tahiri ka folur edhe për grevën e minatorëve të Trepçës, teksa u shpreh se Kuvendi duhet të kërkojë nga KPMM-ja që të ndërmerr diçka për grevën e Trepçës që edhe qeveria të veprojë.

“Sot deri sa ne po flasim këtu është duke vazhduar një grevë e cila nuk ka trajtim adekuat nga Qeveria, ministria e besa as ne si Kuvend. Po flasim për një ndërmarrje e cila gjendet në pjesën e veriut në pjesën ku një popull shqiptar ka lëvizë dhe një ndërmarrje që shërben për mbijetesë për popullatën në atë pjesë. Sot nuk do duhej të ndodhë ky shkarkim, ne si Kuvend do duhet të kërkojmë nga ky komision që të veprojë për grevën e Trepçës që qeveria të veprojë”- theksoi deputeti i AAK-së.

Kuvendi i Kosovës po shqyrton rekomandimin e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti për shkarkimin e kryesueses dhe anëtarët e Bordit të Komisionit për Pavarur për Miniera dhe Minerale.

KALLXO.com ka publikuar një hulumtim në të cilin tregoi se si KPMM ia kishte zvogëluar borxhin ‘Ferronikelit’, duke filluar nga konstatimi i borxhit e deri tek vendimi për të ulur këtë borxh.