Deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku- Rexhepi

Bunjaku - Qeverisë: Vetë po emëroni e vetë po shkarkoni, u bëtë horë me borde

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku ka reaguar në lidhje me rekomandimin e Komisionit për Ekonomi për shkarkimin e kryesueses dhe anëtarët e Bordit të Komisionit për Pavarur për Miniera dhe Minerale.

Bunjaku tha se Lëvizja Vetëvendosje e kishte sjellë edhe më herët shkarkimin e këtij bordi por që sipas saj, pozita kishte gabuar proceduralisht.

“E keni sjellë shkarkimin e këtyre anëtarëve dhe keni gabu proceduralisht. E keni pa që është e pamundur, e keni sjellë në Kuvend ndryshim plotësimin e ligjit, e keni ndryshu nenin që këta njerëz kur të shkarkohen të mos ankohen në gjykata themelore por dirket në supreme”- ka thënë ajo.

“Ju vetë këtë bord e keni emëruar, tash vetë po e sjellni me e shkarku. Unë jam e bindur që shkarkimi i  këtij bordi është për shkak që nuk ju kanë dëgju e jo për shkak të gabimeve. Shkarkimi është i jashtligjshëm. Me njerëz profesionistë nuk duhet me luajtë me indentitetin e tyre”- shtoi ajo.

Deputetja e LDK-së tha se grupi i saj parlamentar nuk do marrin pjesë në shkarkimin e Bordit të KPMM-së.

“Kjo është Qeveria juaj, vetë po emëroni e vetë po shkarkoni, u bëtë horë me borde e me njerëz që po i emëroni. Ja po emëroni familjarë ose militantë ata që po ju dëgjojnë po i shkarkoni. Kështu që LDK nuk do merr pjesë në votim, ju e keni arrogancën e numrave dhe pikërisht atë po e shfrytëzoni”- theksoi Bunjaku.

Kuvendi i Kosovës po shqyrton rekomandimin e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti për shkarkimin e kryesueses dhe anëtarët e Bordit të Komisionit për Pavarur për Miniera dhe Minerale.

KALLXO.com ka publikuar një hulumtim në të cilin tregoi se si KPMM ia kishte zvogëluar borxhin ‘Ferronikelit’, duke filluar nga konstatimi i borxhit e deri tek vendimi për të ulur këtë borxh.