Shpallet i Pafajshëm Inspektori i Minierave dhe Mineraleve

Gjykata Themelore në Pejë sot liroi nga të gjitha akuzat Lulzim Çitakun, Inspektorin e Minierave dhe Mineraleve të Kosovës.

Çitaku akuzohej nga Prokuroria Themelore në Pejë për veprat penale marrje e ryshfetit, ndaj të dëmtuarit Bedri Elezaj, pronar i kompanisë së reparacionit të zhavorrit “Elezaj SH.P.K”, dhe keqpërdorim i detyrës zyrtare ndaj kompanive të zhavorrit në regjionin e Pejës.

Pas mbajtjes së shqyrtimit kryesor, dhe fjalës përfundimtare të palëve ditën e djeshme, trupi gjykues në përbërje prej Sylë Lokaj, Nushe Kukaj-Mekaj, dhe Murat Hulaj, bëri shpalljen e aktgjykimit.

“I akuzuari lirohet nga të gjitha pikat e aktakuzës, për shkak se nuk është provuar se ka kryer vepër penale, për veprat penale për të cilat akuzohet, ndërsa shpenzimet e procedurës penale i ngarkohen me mjete buxhetore kësaj gjykate”, tha Sylë Lokaj.

Më tutje Lokaj theksoi se palët e dëmtuara mund të parashtrojnë kërkesë në kontest civil, brenda afatit prej 15 ditësh nga dita kur aktgjykimi të marrë formën e prerë.

I kënaqur dhe i emocionuar me vendimin e gjykatës, u duk edhe tanimë i liruari Lulzim Çitaku, i cili vendimin e gjykatës e vlerësoi si fitore të drejtësisë.

“Ndihem shumë i lumtur dhe krenar që ngadhënjeu drejtësia. U dëshmua me argumente shumë kokëforta që nuk qenë i involvuar në asnjë rast dhe asnjë moment në shkelje të ligjit”, tha Çitaku

Ai shtoi se nuk ndien urrejtje për askënd dhe se shpreson ne ushtrimin e profesionit që e ka ushtruar deri me tani.

Në shpalljen e aktgjykimit nuk ishte e pranishme prokurorja Sahide Gashi, e cila dje kërkoi dënim maksimal sipas ligjit për Çitakun.

Në dhjetor të vitit 2013, emisioni Drejtësia në Kosovë ka raportuar për rrëfimin e Bedri Elezajt i cili është palë e dëmtuar në këtë rast.

Lulëzim Çitaku është arrestuar së bashku me Nuredin Bislimin pasi janë zënë duke marrë nga 500 euro mito nga Bedri Elezaj pronar i një separacioni të zhavorit.

Bedri Elezaj kishte rrëfyer për gazetën Jeta në Kosovë se si dy inspektorët i kishin kërkuar para.

Nuredin Bislimi ka pranuar fajësinë për marrjen e parave dhe është dënuar me 10 muaj burgim nga Gjykata Themelore në Pejë.

Muajin e kaluar, Gjykata e Apelit e hodhi poshtë ankesën e mbrojtjes së Nuredin Bislimit duke e vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore për kohëzgjatjen e dënimit.