FOTO DIBRAN HOXHA-FCB

Prokuroria shpjegon konfliktin e fundit në ‘Kobra City’, paraburgim për Dibran Hoxhën

Pronarit të lokalit “Kobra City” në Prizren, Dibran Hoxha, që nga dita e djeshme i është caktuar masa e paraburgimit nga Gjykata Themelore në Prizren.

Hoxha po dyshohet se ka kryer veprën penale të vrasjes së mbetur në tentativë.

Ngjarja, sipas vendimit për caktimin e paraburgimit të cilin e ka siguruar KALLXO.com, ka ndodhur më 6 mars rreth orës 12:30 minuta pas mesnatës në lokalin e tij ‘Kobra City’ në Prizren.

Dibran Hoxha ishte arrestuar më 8 mars rreth orës 15:00, ndërsa ditën e diel ka dalë para gjykatësit të procedurës paraprake, ku edhe i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Sipas prokurorisë, bashkë me Dibran Hoxhën, janë edhe dy të dyshuar tjerë Halil Ademaj dhe Jesmir Badallaj, të cilët po dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të lëndimit të rëndë trupor.

Sipas aktvendimit për caktimin e paraburgimit, Dibran Hoxha dyshohet se më 6 mars në orën 12:30 minuta pas mesnate, në lokalin ‘Kobra City’ në Prizren, ka tentuar me dashje ta privojë nga jeta të dëmtuarin B.P. nga Prizreni.

Në vendim thuhet se fillimisht i dëmtuari me një pistoletë të cilën e ka pasur në dorë, ka shtënë 2 herë në drejtim të kulmit të lokalit.

Tutje prokuroria sqaron se Dibran Hoxha i shoqëruar edhe dy të dyshuarit tjerë, e bashkë me stafin e lokalit i janë afruar e së pari e kanë sulmuar fizikisht të dëmtuarin.

Më pas, sipas prokurorisë, i pandehuri Dibran Hoxha e kishte goditur të dëmtuarin duke i shkaktuar lëndime trupore, e nga këto lëndime i dëmtuari kishte rënë në dysheme.

Sipas prokurorisë, edhe pasi që i dëmtuari kishte rënë në dysheme, goditjet ndaj tij kishin vazhduar me duar e këmbë si nga i dyshuari Dibran Hoxha po edhe nga të dyshuarit e tjerë Halil Ademaj dhe Jesmir Badallaj.

Gjykata Themelore me rastin e caktimit të paraburgimit, ka vlerësuar se nëse lihen të lirë, të dyahsurit mund të arratisen me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale për shkak të dënimit të lartë që parashihet për veprën penale për të cilën po dyshohen.

Tutje në arsyetimin e vendimit  thuhet se “në këtë çështje që sapo ka filluar, do të mblidhen edhe prova të tjera për zbardhjen e kësaj çështje penale”.

“Andaj është mendim i Gjykatës së nëse të pandehurit lihen në liri mund të ndikojnë në dëshmitarë tjerë dhe në të dëmtuarin”, thuhet në vendim.

Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ka marrë parasysh edhe karakteristikat personale të të dyshuarve të cilët janë persona të njohur për gjykatën.

Ndaj Dibran Hoxhës është duke u zhvilluar një proces gjyqësor.

Ai po akuzohet për shkaktimin e lëndimeve të rënda trupore.

https://kallxo.com/rrahja-ku-u-perfshi-dibran-hoxhaviktima-pretendohet-se-ka-lendime-ne-tru/