Vendimi i fundit i gjykatës ndaj Dibran Hoxhës dhe të tjerëve për rastin e vrasjes në ‘Kobra City’

Të dyshuarit për vrasjen e të riut nga Kukësi në ‘Kobra City’, Dibran Hoxhës dhe të tjerëve iu ka vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj.

Këtë vendim e ka marrë sot Gjykata në Prishtinë, Departamenti Special.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Në orët e para të 3 janarit 2023, në lokalin “Kobra City” kishte ndodhur një incident, gjatë të cilit ka pati të shtëna me armë zjarri dhe si pasojë një i ri nga Kukësi mbeti i vdekur e një tjetër i plagosur.

Dibran Hoxha, i njohur si ‘Kobra’, është i dyshuari kryesor për veprat penale – vrasje e rëndë, armëmbajtje pa leje dhe manipulim me prova.

Lidhur me këtë incident të dyshuar janë edhe Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi, Enver Amrallahu dhe Roland Susuri.

Gjykata e Prizrenit kishte caktuar masën e paraburgimit për të dyshuarit.

Në fillim të shkurtit, si kompetente për hetimin e këtij rasti u caktua Prokuroria Speciale. Si rrjedhojë rasti tashmë ka kaluar në trajtim në Gjykatën e Prishtinës.

Të dyshuarit e tjerë, shokët e Dibran Hoxhës, Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrallahu, po dyshohen për veprën penale – pjesëmarrja në rrahje.

Ndërsa, Roland Susuri është i dyshuari i shtatë, i cili u arrestua dhe dërgua në paraburgim lidhur me rastin e vrasjes së 31-vjeçarit në lokalin “Kobra City” në Prizren.

Susuri, që punonte kamerier në lokal, po dyshohet se ka fshehur provat duke zhdukur pamjet nga kamerat e sigurisë ditën që ka ndodhur vrasja.

Ai po ashtu dyshohet se ka fshehur edhe armën dhe telefonin e të dyshuarit kryesor për këtë vrasje, Dibran Hoxhës.

KALLXO.com ka siguruar dosjen e Prokurorisë ndaj të dyshuarit Dibran Hoxha për vrasjen e rëndë të ndodhur në orët e para të mëngjesit të 3 janarit.

Në dosje të Prokurorisë thuhet se ekziston dyshimi i bazuar mirë se Hoxha ka shtënë në drejtim të veturës, e cila ndodhej në parkingun e lokalit të tij “Kobra City”.

Policia ka realizuar një mori bastisjesh në Prizren dhe gjatë bastisjeve kë lokalin e ‘Kobrës’ ka gjetur një mori sendesh ilegale.

Një regjistrues i pamjeve të kamerave (DVR) është zbuluar gjatë operacionit të bastisjeve të ndërmarrë në lidhje me rastin e vrasjes në lokalin e natës “Kobra City” në Prizren.

Mes gjësendeve të konfiskuara janë edhe një granatë dore dhe disa fishekë të njërit prej të dyshuarve.

Ndërkaq, burime brenda grupit hetimor kanë thënë për KALLXO.com se në shtëpinë e Dibran Hoxhës është zbuluar një kasafortë e fshehur prapa kaminës së tij.

Në mars të këtij viti Gjykata e Prishtinës ua kishte vazhduar paraburgimin edhe për 2 muaj të tjerë të dyshuarve, pasi që rasti fillimisht ishte duke u trajtuar nga Gjykata e Prizrenit, e ku më pas kaloi në kompetencë të Departamentit Special në Prishtinë.

Raportimet e KALLXO.com  – LINK