Dosja - E kaluara kriminale e shokëve të Dibran Hoxhës

Rastin e Dibran Hoxhës, i dyshuar për vrasjen e 31- vjeçarit nga Kukësi, tashmë do ta hetojë Prokuroria Speciale.

Në paraburgim po qëndrojnë Dibran Hoxha dhe gjashtë të dyshuarit e tjerë Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi, Enver Amrallahu dhe Roland Susuri.

Por dy shokët e Dibran Hoxhës, Arben Vezaj dhe Jesmir  Badalli nuk është hera e parë që po përballen me ligjin.

Nga të dhënat e Gjykatës del se Vezaj dhe Badalli kanë qenë të dënuar edhe më parë.

Sipas Gjykatës, Arben Vezaj ka tre aktgjykime të plotfuqishme dhe atë për pjesëmarrje në rrahje dhe dy aktgjykime për lëndime të lehta trupore.

Në të tria rastet, ai nuk e vuajti asnjë ditë burg pasi dënimet u shqiptuan vetëm me gjobë dhe kusht.

Sipas të dhënave, për veprën penale pjesëmarrja në rrahje, Vezajt në dy raste i janë shqiptuar 6 muaj burgim me kusht.  Kurse për lëndim të lehtë trupor, gjykata i ka dhënë 200 euro gjobë.

Ndaj të dyshuarit tjetër, Jesmir Badalli po ashtu figurojnë tre aktgjykime.

I njëjti është i përfshirë në veprën pjesëmarrja në rrahje ku është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 69 ditësh.

Në përgjigjen e Gjykatës, tutje thuhet se Vezaj për dy aktgjykime të tjera, e ka shfrytëzuar të drejtën e rehabilitimit ligjor në kuptim të nenit 96 të Kodit Penal.

Sipas këtyre të dhënave, të pandehurit në pothuajse në të gjitha rastet janë dënuar me kusht ose gjobë dhe nuk dihet nëse Gjykata ka marrë për bazë të kaluarën kriminale para se të vendos shqiptimin e dënimit.

Në orët e para të mëngjesit të 3 janarit, ka ndodhur një vrasje e rëndë në Prizren, ku pas një konflikti në një lokal nate, mbeti i vdekur një 31-vjeçar nga Kukësi.

Sipas Prokurorisë Dibran Hoxha po dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri ndaj tre të rinjve nga Kukësi, ku njëri nga ta mbeti i vdekur, e një tjetër i plagosur.

Dibran Hoxha dyshohet për veprat penale vrasje e rëndë, armëmbajtje pa leje dhe manipulim me prova.

Ndërsa të dyshuarit e tjerë, shokët e Hoxhës, Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrallahu po dyshohen për pjesëmarrje në rrahje.

I dyshuari i shtatë, Roland Susuri dyshohet se ka fshehur provat duke zhdukur pamjet nga kamerat e sigurisë ditën që ka ndodhur vrasja.

Ai po ashtu dyshohet se ka fshehur edhe armën dhe telefonin e të dyshuarit kryesor për këtë vrasje, Dibran Hoxhës.

Hoxha  bashkë me të dyshuarit e tjerë tashmë po qëndrojnë në masën e paraburgimit.

Dibran Hoxha, emri më i përfolur i këtij fillim viti në Kosovë, rezulton se nuk e ka përjetuar asnjëherë forcën e ligjit.

Ndonëse ishte arrestuar, akuzuar dhe dënuar për dhjetëra krime, prapë se prapë Hoxha në burg nuk u dërgua kurrë.

Sipas të dhënave gjyqësore, Dibran Hoxha i njohur me nofkën “Kobra”, asnjëherë në jetën e tij nuk u dënua me burgim efektiv nga Gjykata e Prizrenit.

“Kobra” siç njihet në publik është dënuar plotë 16 herë për vepra të ndryshme penale  si rrahja, lëndimi i rëndë trupor, shmangia nga tatimi, dëmtimi i vulave zyrtare, dëmtimi i pasurisë së huaj dhe kanosje.

Në 12 raste dënimet kanë qenë me gjobë, ndërsa në 4 raste kanë qenë dënime me kusht.

“Dora e butë” e Gjykatës së Prizrenit nuk u përmirësua as nga Gjykata e Apelit.

Ditë më parë nga Policia janë kryer disa bastisje në Prizren.

Një regjistrues i pamjeve të kamerave (DVR) është zbuluar gjatë operacionit të bastisjeve të ndërmarrë në lidhje me rastin e vrasjes në lokalin e natës “Kobra City” në Prizren.

Mes gjësendeve të konfiskuara janë edhe një granatë dore dhe disa fishekë të njërit prej të dyshuarve.

Ndërkaq, burime brenda grupit hetimor kanë thënë për KALLXO.com se në shtëpinë e Dibran Hoxhës është zbuluar një kasafortë e fshehur prapa kaminës së tij.

Sipas këtyre burimeve, kasaforta është zbuluar gjatë bastisjes së shtëpisë ndërsa e njëjta ende nuk është hapur pasi për hapjen e saj duhet të zhvillohen disa procedura, përfshirë marrjen e disa urdhëresave dhe ftesën e Njësisë kundër Eksplozivëve.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com për këtë rast i gjeni në këtë LINK.