Prizreni me udhëzues të ri për përzgjedhjen e drejtorëve të shkollave

Komuna e Prizrenit ka kirjuar një udhëzues për mënyrën e përzgjedhjes së drejtorëve të shkollave që sipas Kryetarit, Mytaher Haskuka do të ndikojë në depolitizimin e shkollave.

“depolitizimi i sistemit arsimor është proces jashtëzakonisht i rëndësishëm për ngritjen e cilësisë së shkollave tona, rrjedhimisht edhe për zhvillimin e Komunës sonë. Për ta arritur këtë synim, për herë të parë në Komunën tonë kemi krijuar udhëzuesin për përzgjedhjen e drejtorëve, i cili ka për qëllim të tregojë hapat që i ka ndërmarë Drejtoria Komunale e Arsimit, në mënyrë që të kemi drejtorë profesionalë në shkollat tona”, shkroi Haskuka në Facebook

Nëpërmjet këtij udhëzuesi sipas Haskukës, në vëzhgim të vlerësimit dhe intervistimit të kandidatëve do të jenë edhe përfaqësues të shoqërisë civile.

“Për ta siguruar transparencën e gjithë procesit në përzgjedhjen e kandidatëve për vlerësim/intervistim nga komisioni përzgjedhës, DKA do t’i ftojë si vëzhgues përfaqësuesit e Këshillit Drejtues të shkollës, dy përfaqësues të Komisionit për Arsim të Kuvendit Komunal dhe nga një përfaqësues të dy organizatave të shoqërisë civile të cilat merren me tema nga fusha e edukimit”, shtoi Haskuka.

Ai bëri thirrje për aplikim në konkursin për 18 pozita për drejtorë dhe 3 pozita për zëvendësdrejtorë shkollash.