Prishtina Nderon Dëshmorët në Varrezat e Parregulluara

Në Ditën e Dëshmorëve të komunës së Prishtinës, një delegacion i kësaj komune i udhëhequr nga kryetari i saj Shpend Ahmeti, bënë homazhe tek varrezat e dëshmorëve në Velani si dhe  te shtatorja e Zahir Pajazitit.

Kryetari i komunës së  Prishtinës Shpend Ahmeti tha që  pas kaq shumë vitesh pas luftës gjendja e varrezave nuk është e mirë.

“Ne kemi filluar punimet për rregullimin e varrezave te dëshmorëve ne Marevc dhe shumë shpejt do të kërkojmë edhe nga ministria që varrezat e dëshmorëve që janë në komunën e Prishtinës të kalojnë në kompetence të komunës në mënyrë që edhe atje ta bëjmë rregullimin e duhur sepse kaq shumë vite pas luftës në këtë gjendje nuk është mire që të jenë”

Ai tha që është detyre e secilit që ta qojnë përpara kauzën e dëshmoreve.

“Në këtë ditë natyrisht kur bëjmë homazhe përkujtojmë sakrificën e gjithë atyre që dhanë jetën, dhanë gjënë më të shtrenjtë që ne të jetojmë në liri. Tash është detyrë e secilit prej neve që ta qojmë kauzën një hap përpara. Po e them shumë shpesh që ato çka bëjmë ne janë tepër të vogla ne krahasim me atë që e kanë dhënë dëshmorët për jetën tonë”, tha Ahmeti.

homazhe3

Ministri i Diasporës Valon Murati tha që me punën e dëshmorëve kemi ardhur në këtë ditë mirëpo ende jemi larg asaj çfarë dëshirojmë ne.

“Shumica e këtyre dëshmorëve që sot i nderuam edhe te varrezat, janë shok dhe miq të mijë, të cilët kanë ndihmu me punën e tyre dhe me angazhimin e tyre që të vijmë deri në këtë ditë, një ditë që është më e mirë se ajo e djeshme por që është shumë larg asaj çka dëshirojmë të gjithë në dhe çka dëshirojnë gjithë dëshmorët e vendit”, tha ai.

Ndërkaq Kryetar i Degës së Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve në Prishtinë, Naser Pacolli tha që kanë mbetur ende shumë punë pa u bërë lidhur me varrezat e dëshmorëve.

“Ne do të jemi gjithmonë pran familjarëve të tyre. Kuptohet që kanë mbetur shumë punë pa u bërë jo vetëm në komunën e Prishtinës por në të gjitha komunat tjera, sa i përket varrezave të dëshmoreve dhe monumenteve”, tha Pacolli.

Ai bëri thirrje që të shtohet përkujdesja ndaj këtyre monumenteve.

“Kisha bë thirrje nga këtu që agjencioni për mirëmbajtjen e monumenteve, i cili institucion është  i thirrur për këto, që të jetë pak më i kujdesshëm dhe ti evidentoj të gjitha vendet ku prehen dëshmorët , pllakat, mirëmbajtjen, varrezat e kështu me radhë”, tha ai.

Për nder të kësaj dite janë organizuar një varg aktivitetesh përkujtimore.