Presidenti Obama, Kartolinë Kryeministrit Mustafa

Kartolinën e marrë nga Presidenti amerikan, i cili pasnesër e dorëzon postin te Presidenti i zgjedhur Donald Trump, kryeministri Mustafa e ka publikuar në profilin e tij në Facebook.

Në kartolinën e Familjes Obama dërguar kryeministrit Mustafa thuhet: “Ndërkohë që Familja jonë reflekton mbi shumë vitet e lumtura që ka kaluar në Shtëpinë e Bardhë, ne jemi mirënjohës për miqtë që kemi bërë, gëzimin që kemi shpërndarë dhe dhuratat e mirësisë që kemi pranuar. Ne ju urojmë ju dhe të dashurve tuaj festa të gëzueshme të fundvitit dhe një vit të ri të mrekullueshëm”.

Kryeministri ka kujtuar takimin e tij të fundit me Presidentin Obama dhe Zonjën e Parë Michelle Obama të mbajtur në shtator të vitit të kaluar në Nju Jork

“Presidenti Obama do të mbahet mend si një lider frymëzues i kombit amerikan. Gjatë dy mandateve të tij në Shtëpinë e Bardhë, Kosova pati përkrahje permanente dhe populli i Kosovës thelloi respektin për SHBA-të. Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj kanë ndjenja të veçanta miqësie dhe përkushtim maksimal për partneritet strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha kryeministri Mustafa.

Ai e mbylli postimin e tij në Facebokk me urimin: “Zoti e bekoftë Amerikën”.