Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta duke e dekoruar presidenten e Kroacisë, Kolinda Grabar - Kitaroviq, Foto: Presidenca e Shqipërisë

Presidenti Meta dekoron homologen e tij kroate

Në një ceremoni solemne të zhvilluar në Pallatin e Brigadave, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta vlerësoi me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” presidenten e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq.

“Për kontributin e çmuar në intensifikimin e gjithanshëm të marrëdhënieve midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kroacisë; për forcimin e mëtejshëm të miqësisë shumëshekullore midis popullit shqiptar dhe atij kroat; si dhe për mbështetjen e pakursyer në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftimin e presidencës së Shqipërisë.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta në ceremoninë e dekorimit tha se e vlerëson lart rolin dhe mbështetjen e presidentes Grabar-Kitaroviq për Shqipërinë dhe shqiptarët, si në kuadër të zhvillimeve rajonale, ashtu edhe të integrimit evropian.

Presidenti në fjalën e tij përmendi edhe që Kroacia u shpall nënkampione bote në futboll.

“Duke frymëzuar edhe shqiptarët dhe gjithë popujt e tjerë të këtij rajoni për suksesin në të ardhmen. Por për ne padyshim që Kroacia ka qenë dhe është gjithashtu edhe një shembull shumë i mirë për një ecuri më të suksesshme lidhur me anëtarësimin tonë në Bashkimin Evropian”, ka thënë Meta.

Ai gjatë fjalimit tha se shqiptarët dhe kroatët kanë ndërtuar në shekuj lidhje të fuqishme miqësie e bashkëpunimi.

“Marrëdhëniet midis dy vendeve tona janë të shkëlqyera dhe vizita e presidentes Grabar-Kitaroviq është konfirmimi më i mirë i tyre. Sot demonstruam edhe një herë dëshirë dhe vullnet të përbashkët për t’i çuar më përpara e forcuar marrëdhëniet në të gjitha fushat, ku padyshim ai ekonomik e kulturor mbeten ndër prioritetet tona kryesore”. ka thënë Meta.

Pasi mori dekoratën më të lartë të shtetit shqiptar, presidentja e Kroacisë, falënderoi presidentin Meta duke theksuar se kjo dekoratë që ka marrë është simbol i një miqësie të thellë me dy vendeve.

“Ju falënderoj zoti president për këtë nderim, që në fakt nuk është vetëm për mua, por edhe për popullin kroat, duke më akorduar ‘Dekoratën e Flamurit Kombëtar’! Ky titull që po marr është simbol i një miqësie të thellë mes vendeve tona, veçanërisht mes shqiptarëve dhe kroatëve dhe u jam mirënjohëse si ju personalisht, po ashtu dhe Shqipërisë”, ka përfunduar Grabar-Kitaroviq.