Koalicioni “Bashkë fitojmë”, Ilir Meta e Sali Berisha dërgojnë kërkesën për regjistrim në KQZ

Partia e Lirisë me në krye Ilir Metën dhe Partia Demokratike e Shqipërisë me në krye Sali Berishën kanë krijuar koalicionin e quajtur “Bashkë fitojmë” dhe kanë dorëzuar kërkesën për regjistrim në Komisionin Qendror Zgjedhor, raporton Top Channel.

Pjesë e këtij koalicioni janë edhe Partia Demokristiane me kryetar Nard Ndokën dhe Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut me kryetar Vangjel Dulen.

Ky koalicion do të garojë në zgjedhjet vendore të Shqipërisë më 14 maj.

“Sot më datë 15.03.2023, ne, partitë politike të mëposhtme: Po bashkohemi, si parti dhe si qytetarë, jo vetëm për të shmangur rrezikun e eliminimit të pluralizmit dhe peng marrjen e opozitës, por edhe me vëllimin e lartë për t’i sjellë ndryshimin Shqipërisë, qytetarëve të saj dhe bashkatdhetarëve jashtë vendit. Ne po bashkohemi si garant i fitores se opozitës dhe forcave euroatlantike në zgjedhjet e ardhshme, për t’i dalë zot Shqipërisë, dhe për të garantuar ndryshimin përmes zgjedhjeve dhe dhënien fund të status quo-së politike dhe abuzimit të pushtetit. Bashkimi si garant i ndryshimit dhe instrument për forcimin e zërit qytetar opozitar, na bën bashkë dhe më të fortë. Ne theksojmë nëpërmjet këtij bashkimi të njëjtat vlera e parime në veprimtarinë e përgjithshme politike, si dhe në vizionin për qeverisjen e vendit” – shkruhet në shkresën drejtuar KQZ-së.