Berisha dhe Meta krahë njëri-tjetrit në protestën kundër Qeverisë Rama

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe kreu i PL-së, Ilir Meta drejtojnë protestën e opozitës para Kryeministrisë.

Dy liderët e partive më të mëdha opozitare në Shqipëri qëndrojnë krah njëri-tjetrit në krye të qytetarëve që janë mbledhur për të protestuar kundër qeverisë së kryeministrit Rama.

Pak ditë më parë Berisha dhe Meta firmosen marreveshjen e bashkëpunimit për zgjedhjet lokale të vitit 2023.

Kjo është hera e dytë që opozita zhvillon një protestë kombëtare gjatë këtij viti kundër qeverisë, pas asaj të mbajtur më 7 korrik.

Kreu i Partisë Demorkatike të Shqipërisë, Sali Berisha teksa iu drejtua protestuesve opozitarë në bulevard, paralajmëroi burgosjen e kryeministrit Edi Rama.

Lideri historik i selisë blu renditi disa arsye të cilat sipas tij kompromentojnë kreun e qeverisë, sikurse janë korrupsioni me banesat e rindërtuara pas tërmetit, udhëtimet e shtrenjta me charter, Portin e Durrësit, Butrintin etj.

Për të gjitha këto afera, sipas tij, Rama meriton burgun.

Sot, si në asnjë komb tjetër, shqiptarët, çdo fatkeqësi natyrore, çdo krizë, e përjetojnë si dramë dhe tragjedi kombëtare, dhe kjo vetëm për një arsye: Se Edi Rama i vjedh, i vjedh, i vjedh ata. Më 26 nëntor, Shqipërinë e goditi një tërmet i rëndë. Nën rrënoojat e pallateve në Thumanë dhe Durrës dhanë shpirt 51 qytetarë. Të gjithë në ndërtesa të pabanueshme nga tërmeti i tre muajve më parë. U lanë aty, fondet  e caktuara u vodhën. Shpirtrat e tyre kërkojnë sot drejtësi. Para tre ditësh, Rama urdhëroi drejtësinë e tyre t’i shpallë të pafajshëm”- ka thënë Berisha.

“Dhjetëra-mijëra qytetarë që humbën banesat, jetojnë në çadra, kurse ai jeton në çarter me dhomë gjumi luksoze, ministrat e tij paguajnë 1 mijë dollarë një biftek, dhe paguajnë dadot për konet e tyre. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar se kjo qeveri ka abuzuar me 8.2 miliardë euro për shtatë vite. Këto nuk janë të vetme, me aferat e Portit të Durrësit, Butrintit, janë miliarda e miliarda euro të tjera që po vidhen. Por e vërteta është se vjedhja më e madhe e shpresës dhe e besimit, i topiti, i bëri që të mbeten në hallin e tyre. Ndaj edhe ky miting madhështor i jashtëzakonshëm është sirenë e fuqishme e shpresës për çdo shqiptar. Të bashkoheni me ne, në mënyrë që Edi Ramës t’ia shkurtojmë ditët. T’i presim biletën. Për ku? Për aty ku e ka vendin.  Ndaj dhe ju përshëndes ju, slogani juaj: Edi Rama, o hajdut, boll vodhe, shko në burg, do bëhet realitet.– u shpreh më tej Berisha.

Në Shqipëri ka nisur protesta e opozitës dhe qytetarëve të pakënaqur, ndaj qeverisë.

Mijëra protestues janë nisur nga selia e Partisë Demokratike drejt Kryeministrisë. Kjo është protesta e dytë kombëtare e opozitës për këtë vit.

Ndërkohë në terren kanë zbritur rreth 1500 forca policore të cilat do të qëndrojnë në gatishmëri për mbarëvajtjen e tubimit.

Në podiumin e përgatitur priten të ngjiten qytetarë të ndryshëm, fermerë e studentë që përfaqësojnë kategori të ndryshme të shoqërisë.

Bëhet me dije se grumbullimi do të mbyllet me fjalime të krerëve të dy partive më të mëdha opozitare, Sali Berisha e Ilir Meta./vizionplus