Presidenti dekoroi antropologen norvegjeze Berit Backer

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka dekoruar antropologen norvegjeze Berit Backer, pas vdekjes, me Medaljen Presidenciale Jubilare.

Presidenti Thaçi ka thënë se antropologia Backer ishte ndër zërat e parë që ka folur për të drejtat e mohuara të shqiptarëve në Kosovë.

“Duhet ta kujtojmë se sa e vështirë ka qenë të flitet asokohe në atë kontekst për shqiptarët dhe për Kosovën”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit u shpreh i lumtur që në cilësinë e Presidentit të Republikës së Kosovës po e dekoron pas vdekjes antropologen Berit Backer për kontributin e saj për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“I jemi mirënjohës familjes së saj, shtetit norvegjez dhe popullit norvegjez për përkrahjen dhe miqësinë”, shtoi presidenti Thaçi.

Në emër të familjes Backer, dekoratën e ka pranuar Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Per Strand Sjaastad, bashkë me grupin inicues në përbërje të Nufri Lekajt, Ann Christine Ekk dhe Shkëlzen Kuklecit.