Presidenti Thaçi me drejtuesit e besimeve fetare të Kosovës - Foto: Presidenca e Kosovës

Presidenti Bashkë me Krerët e Besimeve Fetare të Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në pritjen solemne të organizuar nga ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji, për nder të festës së Kërshëndellave.

“Kërshëndellat janë festë e paqes dhe dashurisë, e gëzimit dhe lumturisë”, është shprehur presidenti sipas një komunikate të Presidencës gjatë takimit në rezidencën e Ipeshkvisë në katedrales “Shën Tereza” në Prishtinë.

“Në Kosovë jemi sprovuar shumë herë, por gjithmonë kemi dalë fitimtarë”, ka shtuar presidenti Thaçi. “Por, kemi ngadhënjyer, sepse kemi pasur besim, në veten tonë, në vlerat për të cilat jemi angazhuar, për të cilat jemi sakrifikuar, për të cilat kemi luftuar”, citohet të ketë thënë ai.

Presidenti Thaçi ka thënë se “edhe sot besimi ynë luhatet kur thashethemet përhapen më shpejt se kurdoherë tjetër, kur fjala e keqe nuk pret të dëgjojë të vërtetën”. Por, sipas tij, është e rëndësishme të mos e humbasim besimin.

“Besimin se Kosova është shtëpia jonë e përbashkët, se po ndërtojmë një shtëpi të mirë për të gjithë. Prandaj, duke ftuar për besim e jo dyshim, për përkushtim e jo largim, për bashkim e jo përçarje, ju uroj të gjithëve paqe, dashuri, mirësi, në jetët tuaja, në familjet tuaja”, ka uruar presidenti Thaçi.

Komunikatën Presidenca e ka shoqëruar me një foto, në të cilën shihet presidenti Thaçi i shoqëruar nga krerët e tri besimeve fetare të Kosovës: myftiu Naim Ternava, ipeshkvi Dodë Gjergji dhe peshkopin Teodosije.