Policia Sfidon Zëvendës Ministrin: Trego Fakte!

Në një deklaratë të lëshuar në mbrëmje, Policia tha se akuzat që iu bënë nga numri 2 i ministrisë që menaxhon policinë janë “perceptime personale” të cilat “nuk do ta zbehin imazhin dhe përkushtimin shumë të madh të PK-së për t’i shërbyer vendit”.

“Policia e Kosovës (PK) dhe menaxhmenti i saj janë të përkushtuar në përmbushjen e detyrave dhe obligimeve të saja ligjore në të mirë të sigurisë dhe rendit në Republikën e Kosovës. Krahas etikes së lartë, integritetit dhe vlerave që ka PK, ne në vazhdimësi jemi shquar për efikasitet edhe në trajtimin e rasteve kur pjesëtarë të PK janë dyshuar për aktivitet të kundërligjshëm, e që fatmirësisht nuk kanë qenë në numër të madh”, thuhet në deklaratë.

Sipas policisë, struktura e saj organizative mundëson menaxhim profesional sipas metodave të njohura menaxhuese moderne dhe menaxherët, komandantët dhe eprorët tjerë në strukturë përkujdesen për të gjitha çështjet organizative, duke përfshirë edhe përgjegjësinë dhe llogaridhënjen nga pozitat menaxheriale.

http://kallxo.com/mustafa-kerkon-pastrimin-e-policise-nga-krimi/

Duke folur për akuzat e Mustafës rreth rastit të arrestimit të 59 zyrtarëve nga njësitet e trafikut rrugor, Policia tha se ato janë raste të izoluara dhe “në asnjë mënyrë nuk e zbehin imazhin e mirë të punës së PK-së në përgjithësi”.

“Zyrtarët e arrestuar janë individë brenda organizatës dhe si të tillë trajtohen ligjërisht për përgjegjësinë e tyre, ndërsa sa i përket përgjegjësisë menaxheriale PK tashmë ka ndërmarrë veprime konkrete deri në këtë fazë edhe në kuadër të përgjegjësive të stafit menaxhues në njësit ku zyrtarët policor kanë qenë të involvuar në aktivitete të kundërligjshme. Në arrestimin e këtyre zyrtarëve policor ka dhënë kontribut edhe vet PK-ja”, thotë Policia.

“Sa i përket dyshimeve, hipotezave dhe gjasave të probabilitetit  për një numër të madh të policëve të korruptuar, e inkurajojmë z. Mustafa që dyshimet e tija t’i paraqesë tek institucionet kompetente dhe e sigurojmë z. Mustafa edhe pse besojmë se e ka të qartë se PK-ja do të vazhdojë të jetë profesionale, e pa lëkundur në përmbushjen e misionit, vizionit dhe objektivave të saja, dhe e pa ndikuar nga shantazhet dhe tendenca për ndërhyrje në pavarësinë  operacionale”, thotë Policia e Kosovës.

Duke u përgjigjur rreth deklarimeve të Mustafës për angazhimet e disa zyrtarëve policorë në universitete publike e kolegje private, Policia thotë se kjo çështje është e rregulluar me procedura të veçanta dhe angazhimi i tyre në kolegje jashtë orarit të rregullt është i autorizuar dhe në përputhje me procedurat e PK, dhe në asnjë mënyrë angazhimi i zyrtarëve të PK-së me grada akademike nuk duhet perceptuar si ” sjellje nëpër kolegje” por si një vlerë shtesë jo vetëm për PK-në por edhe për institucionet arsimore.

“PK-ja nga viti në vit ka realizuar suksese evidente në luftimin e të gjitha llojeve të krimit , impakti i të cilave tejkalon edhe kufijtë e Kosovës, ku konkretisht parandalimi dhe luftimi i narkotikëve dhe trafikimit me qenie njerëzore janë  fusha ku PK, ka pasur rezultate signifikante të cilat janë qmuar edhe nga mekanizmat dhe partnerët ndërkombëtar”, thuhet në deklaratë.

“Tendenca për të paraqitur PK-në, në mënyrë hipotetike dhe me gjasa të probabilitetit si institucion i korruptuar nuk kuptohet ndryshe veç se përbuzje, njollosje, dhe etiketim i vlerave që përfaqësojnë mijëra burra dhe gra, të cilët  sakrifikojnë ditë dhe natë për sigurinë e qytetarëve të Kosovës”, tha Policia e Kosovës.