Policia kishte rrethuar zonën ku ishte braktisur vetura e dyshimtë me targa serbe - Foto: KALLXO.com

Policia: Personi që Braktisi Veturën - me Probleme Mendore

Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja lidhur me rastin e djeshëm, kur një person e kishte braktisur veturën e tij me targa të Serbisë në rr. “Garibaldi” në qendër të Prishtinës.

Në një njoftim të saj, Policia thekson se në bazë të një hetimi preliminar, mbështetur edhe në dokumentacionin mjekësor të prezantuar nga shoferi si dhe rekomandimin e mjekëve, është ngritur dyshimi që ngasësi i veturës të jetë person me një shkallë të lartë të dëmtimit mendor si dhe person i varur nga substancat narkotike.

Përveç ngasësit të veturës, të identifikuar me inicialet S.Z., Policia ka intervistuar edhe disa persona të tjerë në cilësinë e dëshmitarëve.

Po ashtu, në këtë njoftim, Policia dha edhe detaje të tjera rreth rastit të djeshëm.

Sipas saj, rreth orës 16:00 Policia ka marrë informacionin për një veturë të dyshuar e cila ka qenë e parkuar në mënyrë të parregullt në rrugën “Garibaldi” në Prishtinë.

“Patrulla policore i është përgjigjur këtij informacioni duke dalë në vendin e ngjarjes ku ka hasur veturën e tipit Opel Astra ngjyrë hiri, me mbishkrimin Proffi Taxi me targa të Republikës së Serbisë, e cila  kishte shkaktuar vështirësi në qarkullimin e trafikut rrugor si rezultat i parkimit jo të rregullt”, thuhet në njoftim.

Policia ka ftuar në vendngjarje kompaninë për tërheqjen e veturës, por pas analizimit të rrethanave, informacioneve të reja të marra nga qytetarët si dhe dyshimeve të ngritura, e njëjta nuk është konfiskuar menjëherë.

Sipas njoftimit, në vendin e ngjarjes janë ftuar ekspertë të njësiteve të specializuara policore për ekzaminim të detajuar të veturës në mënyrë që të përjashtohet çdo dyshim i mundshëm i ndërlidhur me prezencën e kësaj veture.

Pas kryerjes së ekzaminimeve të nevojshme vetura është konfiskuar dhe ndaj ngasësit të veturës është shqiptuar masa administrative me gjobë për veprimin kundërvajtës.

http://kallxo.com/policia-nuk-gjen-asgje-ne-veturen-e-braktisur-tabela-te-beogradit/