Policia e Kosovës. Ilustrimi: Kallxo.com

Policia Kontrollon 63 Sallone Masazhi

Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore me planin operativ “Massage” kontrolloi 63 sallone masazhi.

Gjatë aksionit të kontrolleve përveç njësiteve të policisë morën pjesë edhe inspektorët e ATK-së, MTI-së, inspektorët e punës dhe  inspektorët komunalë.

Policia në një komunikatë njofton se përkohësisht janë mbyllur 38 lokale që ushtronin veprimtarinë e masazhit, ndërsa pesë punëtore të tyre nuk kanë pasur dokumente dhe leje pune.

Këto punëtore i janë dorëzuar Drejtorisë për migrim dhe të Huaj.

Policia njofton se ka legjitimuar të gjithë punëtorët e qendrave të masazhit dhe ua ka ofruar atyre mundësinë që të deklarohen nëse janë viktima të trafikimit.

Edhe inspektorët e ATK-së, ata të punës, inspektorët e Ministrisë së Tregtisë dhe industrisë dhe ata komunalë kanë shqiptuar gjoba për shkeljet e gjetura.

Policia njofton se nëpër sallonet e kontrolluara në Prishtinë, Prizren e Pejë ka gjetur se disa nga këto lokale nuk kanë qenë të regjistruara si biznese, ndërsa në shumicën e tyre nuk ka pasur arka fiskale.

Gjithashtu janë gjetur edhe lokale që nuk kishin pëlqim nga komunat për veprimtaritë e zhvilluara, nuk i kishin të deklaruar punëtoret dhe ato nuk kishin kontrata dhe shumica e punëtoreve në to ishin të pakualifikuar.

Policia njofton se janë hasur edhe të punësuara nën moshën 18 vjeçare, ndërsa lokalet nuk e deklaronin fitimin ditor dhe mujor.