Substancat narkotike të konfiskuara nga Policia e Kosovës- Foto: Policia e Kosovës

Policia Konfiskon 8.5 Kilogramë Drogë të Destinuara për Prishtinë

Tetë kilogramë e gjysmë lëndë narkotike janë konfiskuar nga njësiti antidrogë i Policisë së Kosovës.

Në një operacion të datës 29 mars të muajit të kaluar, policia ka arrestuar tre persona të dyshuar në fshatin Miradi e Epërme në Fushë Kosovë, për veprat penale, blerje, posedim, shitje ose shpërndarje e paautorizuar e substancave narkotike’ dhe ‘mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Me anë të një njoftimi, policia ka thënë se të dyshuarit me inicialet B. L, A. G dhe A. G po bartnin dhe posedonin substancat narkotike me prejardhje nga Shqipëria ku destinacion kishin Prishtinën.

Përveç sasisë prej 8 kilogram e gjysmë të konfiskuar, policia ka kontrolluar shtëpinë e të dyshuarit B. L në Prishtinë, ku ka gjetur e konfiskuar, tri revole, njëra pa karikator, një tjetër me një karikator dhe 6 fishekë, dhe një karikator tjetër me shtatë fishekë, 27 fishekë të tjerë, një sprej me mbishkrim NATO, katër paketime të formave dhe madhësive të ndryshme me narkotikë të llojit marihuanë me peshë të përgjithshme prej 312.5 gramë, një ambalazh plastik mbushur me pluhur ngjyrë të bardhë e dyshuar si narkotikë të llojit kokainë me peshë të përgjithshme prej 98.7 gramë me mbështjellës, një peshore digjitale dhe  350 qese të zbrazura plastike, për paketimin e substancës narkotike gjatë shpërndarjes dhe një mulli që përdoret për bluarjen e narkotikëve.

Po ashtu policia ka njoftuar se nga të dyshuarit janë konfiskuar edhe dy veturat e përdoruara në rast, 4 telefona celularë dhe 690 euro para të gatshme.

“Me aktvendim të prokurorit kompetent  të  dyshuarit dërgohen në qendrën e mbajtjes, kurse rasti i mbetet në kompetencë Njësitit Antidrogë të Prishtinës për hetim të mëtejmë. Policia e Kosovës mbetet fuqishëm e përkushtuar për luftimin e trafikimit me substanca narkotike dhe ri konfirmon se masa rigoroze do të zbatohen ndaj të gjithë personave të dyshuar të involvuar në veprime të tilla të kundërligjshme”, thuhet në njoftimin e policisë.

Substanca narkotike e llojit kokainë e konfiskuar nga Policia e Kosovës në aksionin e 29 marsit 2018. Foto: Policia e Kosovës
Revolja e konfiskuar nga Policia e Kosovë në aksionin e 29 marsit 2018. Foto: Policia e Kosovës