Arrestimi i "Burdushit"

Policia jep detaje për arrestimin e "Burdushit"

Mëngjesin e sotëm, KALLXO.com ka raportuar për arrestimin e mjekut popullor Hysri Peqani i njohur si “Burdushi”.

Policia ka njoftuar se Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike ka kryer një urdhër kontroll të shtëpisë/banesës, të lokaleve tjera përcjellëse dhe të pronës së të dyshuarit për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, shmangie nga tatimi dhe mashtrim.

Policia ka rikujtuar se me 17 nëntor të vitit të kaluar ishte proceduar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prizren, ndaj të njëjtit person.

“I njëjti pas lirimit nga paraburgimi ka vazhduar aktivitetin e tij të kundërligjshëm, mbi këtë bazë të dyshimeve, ku prokurori i çështjes ka lëshuar autorizim të ri që të ndërmerren veprime hetimore në mbledhjen e dëshmive”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia ka bërë të ditur se sot gjatë zbatimit të urdhër-kontrollit janë kontrolluar pesë shtëpi banimi, tri automjete dhe një lokal përcjellës ku janë konfiskuar dëshmi relevante që do të përdoren në procedura të mëvonshme.

Pas intervistimi i dyshuari me aktvendim të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren është dërguar në ndalim për 48 orë.

KALLXO.com ka raportuar mëngjesin e sotëm për arrestimin e “Burdushit”

“Shëruesi i magjisë” ishte liruar në mars të këtij viti ndërsa ishte arrestuar në nëntor të vitit të kaluar.

Policia e Kosovës nën udhëheqjen e Prokurorisë Themelore në Prizren kishte bastisur shtëpinë e “Burdushit” nën arsyetimin për shmangie nga tatimi dhe mashtrim.

Vitin e kaluar. Hysri Peqani ishte  dënuar nga Gjykata Themelore e Prizrenit me 1 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë, për veprën penale mashtrim. Po ashtu Gjykata ia ka ndaluar Peqanit ushtrimin e profesionit për tri vitet e ardhshme.