Policia në veri | Foto: KALLXO.com

Policia e Kosovës Demanton Kryeministrin Serb

Në një komunikatë Policia e Kosovës demantoi fjalët e Kryeministrit serb Aleksandar Vuçiq dhe disa medieve të këtij vendi në lidhje me akuzat rreth tentim–minimit të hekurudjës për të parandaluar hyrjen e trenit serb në veri të Kosovës.

“Policia e Kosovës demanton fuqishëm të gjitha deklarimet e zyrtarëve politikë serbë dhe mediumet serbe, të cilat kanë deklaruar dhe publikuar informacione se kinse qytetarët e Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë vendosur mjet shpërthyes me qëllim të parandalimit të futjes së trenit në Kosovë,” thuhet në komunikatë.

Sot në një konferencë për gazetarë, Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq tha se njësitë speciale të Policisë së Kosovës tentuan ta minojnë hekurudhën.

http://kallxo.com/vuciq-policia-speciale-e-kosoves-tentoi-ta-minoje-hekurudhen/

Policia e Kosovës më tutje në komunikatë tregoi se shtoi forcat në Jarinje për të parandaluar hyrjen e trenit serb në veri.

“Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit lidhur me paralajmërimet e qarkullimit të trenit nga Serbia për në Republikën e Kosovës (RKS), ka ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit operacional, për të garantuar rendin kushtetues, sigurinë e përgjithshme, në rastin konkret për parandalimin e qarkullimit të trenit ilegal për në territorin e Republikës së Kosovës,” thuhet në komunikatë.

Në komunikatë policia sqaroi se kontrolloi në veri edhe hekurudhën në kërkim të eksplozivëve, pasi dolën informata për këtë gjë.

“Policia e Kosovës me të gjitha njësitet e saja relevante policore duke përfshirë edhe mjetet dhe pajisjet logjistike, ka ndërmarrë veprimet e saja me qëllim të identifikimit dhe sqarimit të rrethanave të krijuara, mirëpo nuk ka hasur në asnjë mjet shpërthyes në dhe përgjatë hekurudhës në territorin e RKS-së,” thuhet në komunikatë.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në veri Besim Hoti e konfirmoi gjatë ditës për KALLXO.com se policia nuk gjeti asgjë kur kontrolloi hekurudhën për mjete shpërthyese.

http://kallxo.com/policia-hekurudha-u-kontrollua-per-eksploziv/

Edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani tha për KALLXO.com se policia ndodhet në veri me të gjitha mjetet,

KALLXO.com xhiroi mjetet dhe pjesëtarët e policisë së dërguar në Jarinje.

http://kallxo.com/zyrtare-policia-e-kosoves-autoblinda-ne-veri/

Treni që u nis sot nga Beogradi me qëllimin për të shkuar deri në Mitrovicën Veriore, u ndal në Rashkë 10 kilometra pa hyrë në Kosovë, ndërsa Kryeministri Mustafa kthimin prapa të këtij treni e konsideroi veprim të duhur, pasi tha se ai nuk do të lejohej të hynte në Kosovë.

http://kallxo.com/isa-mustafa-treni-nuk-te-lejohej-te-hynte-ne-kosove/