Policia e Kosovës arreston gjashtë persona, pjesë e një grupi kriminal

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar gjashtë persona të dyshuar të cilët dyshohet se janë pjesë e një grupi kriminal.

Sipas njoftimit të policisë, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik  nën masa të fshehta ka bërë hetimin e disa personave në regjione të ndryshme si në Prishtinë, Pejë, Prizren dhe Ferizaj.

“Pas aplikimit të masave të fshehta të hetimit, Policia e Kosovës ka arritur që të arrestojë 12 persona në regjionet e lartcekura, ndërsa vetëm gjatë ditës së djeshme Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Pejë, në bashkëpunim me drejtorinë në Gjakovë, dhe atë në Ferizaj, Njësinë e Reagimit të Shpejtë në Pejë, Forenzikën Rajonale në Pejë, Njësinë K9 si dhe një patrullë policore nga Stacioni Policor në Klinë, sipas urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Pejë kanë bërë arrestimin e gjashtë personave të dyshuar”, thuhet në njoftimin e policisë.

Të dyshuarit të cilët dyshohet se janë pjesë e një grupi kriminal janë I.H, 48 vjeçar, I.P, 43 vjeçar, B.P, 41 vjeçar, A.R, 43 vjeçar, L.M,  27 vjeçar, dhe Xh.H, 39 vjeçar, pesë prej të cilëve iu është shqiptuar masa e ndalimit policor pre 48 orësh, ndërsa i dyshuari i gjashtë është liruar në procedurë të rregullt.

Policia ka njoftuar se në lidhje me rastin ka konfiskuar si prova materiale nga personat e arrestuar 2 mijë e 900 euro, 7 telefona, bllok xhepi me shënime, një veturë VW CADYY LIFE, 6 fletë tërheqje të parave, dy thika luftarake, një pistoletë e llojit TT me dy karikator, 10 fishekë dhe dy fishekë me gaz.

Në njoftimin e policisë thuhet se në kuadër të këtij grupi policia ka arrestuar më herët edhe gjashtë persona të tjerë të cilët dyshohet se janë pjesë e këtij grupi kriminal.