Konferenca e policisë | Foto: KALLXO.com

Policia me Dokument për Rrezikun nga Krimet

Drejtori i përgjithshëm i policisë Shpend Maxhuni në lansimin e Dokumentit Strategjik të Vlerësimit të Kërcënimit nga Krimet e Rënda dhe të Organizuara (SOCTA) tha se do të investohet në potencialin e forcave të rendit për sigurinë e qytetarëve.

“Duke iu referuar raportit të SOCTA-s do të investohet në potencialin tonë në përgjithësi në fushën e zhvillimit në kuadër të kapacitetit të Policisë së Kosovës duke synuar arritjet maksimale për të krijuar një ambient të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës,” tha Maxhuni.

Ndërsa menaxherja e projektit të OSBE-së, Anila Kadiu, tha se ky dokument është produkt i një projekti të quajtur forcimi i kapaciteteve të Policisë së Kosovës.

“Projekti filloi implementimin nga viti 2014-ishte relativisht një rrugëtim i gjatë dhe përmbante aktivitete konkrete të cilat i përkrahën analistët e dy policive, pra të Kosovës dhe Shqipërisë në hartimin e këtij dokumenti strategjik,” tha Kadiu.

Drejtori i policisë Maxhuni më tutje tregoi se çfarë përmban dokumenti strategjik i publikuar sot.

“SOCTA paraqet vlerësimin e kërcënimeve dhe trendëve aktuale dhe atyre të reja të krimit serioz dhe atij të organizuar brenda shtetit tonë,” sqaroi Maxhuni.

Ndërsa zyrtarja e OSBE-së Kadiu tha se dokumenti tregon pse ndodhin këto lloje të krimeve.

“Me analizën e cila është bërë nga grupi i ekspertëve është arritur që të identifikohen shkaqet, arsyet e paraqitjes së këtyre formave të kriminalitetit, mënyra e kryerjes së këtyre krimeve, por gjithashtu edhe janë dhënë rekomandime për veprime se si duhet të merremi me këto rreziqe,” shtoi Kadiu.

Drejtori i Departamentit të Hetimeve Riza Shillova foli për rreziqet konkrete dhe ato të së ardhmes.

“Në bazë të analizës së këtij raporti del se luftimi i krimit të organizuar, terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm janë vepra penale ose format e krimit të cilat paraqesin rrezikun kryesor për sigurinë në vend.

Shillova më tutje renditi kërcënimet me të cilat përballet Kosova.

“Në radhë të parë është trafikimi me narkotikë, pastaj është trafikimi me njerëz, pastaj terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm përshirë edhe radikalizmin, migrimin ilegal, kontrabandimin me emigrantë, kontrabandimin me mallra si dhe format e tjera të kriminalitetit,” tha Shillova.

Për Shillovën “Kosova ende mbetet vend transit i narkotikëve edhe kryesisht i drogave të cilat janë të lehta, por kemi edhe trend të trafikimit të heroinës, kokainës dhe ekstasy-së, me një tendencë në rritje të trafikimit të drogave sintetike”.

Shillova tregoi se si nis trafikimi me narkotikë.

“Fillimisht bëhet me sasi të vogla përmes territorit të Kosovës, jo me sasi të madhe duke përdorur transportin kryesisht tokësor përmes mjeteve të ndryshme,“ deklaroi Shillova.

Ai bëri të ditur se raporti i lansuar është hartuar në bazë standardeve të EUROPOL-it.

“Ky raport është hartuar sipas standardeve të cilat i aplikon EUROPOL-i për hartimin e dokumenteve strategjike që kanë për qëllim identifikimin e kërcënimeve dhe rreziqeve që i vijnë vendit nga krimi i organizuar dhe krimet e rënda në përgjithësi,” sqaroi Shillova.

Dokumenti SOCTA i Europol-it është vlerësim katërvjeçar që përfshin krahasimin e krimeve të dy vjetëve në raport me dy vjet më parë.

Dokumenti i Policisë së Kosovës i publikuar sot përfshin periudhën kohore dyvjeçare 2014-2015 duke e krahasuar me të dhënat paraprake të viteve  2012-2013.

Hartimi i dokumentit është përkrahur nga misioni i OSBE-së në Kosovë dhe qeveria zvicerane, nëpërmes (DCAF)-Democratic Control of Armed Forces.