Policia Apelon për Vigjilencë rreth Lojës ‘Balena Blu’

Sipas Policisë, në Kosovë ende nuk është regjistruar ndonjë viktimë e kësaj loje që po quhet “vetëvrasëse”.

Megjithatë, Policia i bën thirrje secilit qytetar që ka njohuri për këtë lojë që ta raportojë atë.

“Balena Blu”, e njohur edhe si “loja vetëvrasëse”, deri më tani ka shtyrë drejt vetëvrasjes të paktën 130 fëmijë në Rusi.

Kjo lojë tashmë është përhapur edhe në Gjirokastër të Shqipërisë.

Kjo lojë online sipas informatave të marra ka origjinën në Rusi, ndërsa ka fituar vëmendjen që nga viti 2016.

“Balena Blu” është një lojë që luhet ‘online’, kryesisht nga fëmijët dhe të rinjtë.

Sipas rregullave të lojës, lojtarëve u jepen detyra, të cilat ata duhet t’i realizojnë dhe xhirojnë.

Pas detyrave për 50 ditë, ata që kanë kaluar me sukses provën detyrohen që të ngjiten në ndonjë objekt të lartë dhe të hidhen duke bërë vetëvrasje.

Simptomat të cilat prindërit duhet t’i vërejnë te fëmijët e tyre janë shikimi i tepërt i filmave horror, largimi nga orët e mësimit, lëndimet që i krijojnë vetvetes, qëndrimi në hapësira të mbyllura duke mos biseduar me askënd e të tjera.

“Këto detyra jepen nga administratorët e kësaj loje, dita ditës vijnë duke u vështirësuar për të rinjtë dhe bëhen shumë ekstreme përgjatë 50 ditëve sa zgjat kjo lojë. Diku kah fundi i këtyre ditëve, disa anëtarë të administrimit të kësaj loje inkurajojnë të rinjtë që t’i shkaktojnë lëndime vetvetes duke i stimuluar ata që të gërvishtin deri në gjakosje dorën e tyre duke e vizatuar ‘balenën e kaltër’ dhe në njëfarë forme bëjnë ‘shpëlarjen e trurit të të rinjve”, thuhet më tutje në njoftimin e Policisë.

Policia në fund të njoftimit ka thënë se nëse vërejnë ndonjë shenjë tek fëmijët e tyre menjëherë duhet të konsultoheni me ndonjë psikolog dhe me Policinë e Kosovës.

Për të gjithë që kanë informacione lidhur me këtë lojë, apo vërejnë ndonjë dyshim tek personat se mund të jenë pjesë e kësaj loje online, mund të telefonojnë në numrin e Policisë pa pagesë 192.