I akuzuari Granit Elshani sot në Gjykatë - Foto: KALLXO.com

Polici që arrestoi Granit Elshanin rrëfehet në gjykatë

Për të sqaruar rrethanat se si u vra Besart Shabi dhe u plagosën disa persona të tjerë para një trume në diskotekë gjykata e Pejës ka urdhëruar që CD-të e kamerave të sigurisë të dërgohen në ekspertizë ndërkombëtare.

Natën e dytë të vitit të ri 2010-të Besart Shabi ishte vrarë gjatë të shtënave të cilat sipas prokurorisë e kishin cak Valdet Kelmendi, pjesëtar i familjes Kelmendi e cila ka qenë në hasmëri me familjen Elshani që nga viti 2000.

I akuzuari për këtë rast Granit Elshani nuk është parë saktë nga shumë prej dëshmitarëve të rastit

Elshani në maj të vitit 2018 ishte dënuar me 25 vite burgim për këto akuza, mirëpo rasti u kthye në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

https://kallxo.com/ekskluzive-apeli-vendos-per-granit-elshanin/

Me anë të atij vendimi Gjykata e Apelit e kishte udhëzuar Gjykatën Themelore që me rastin e rigjykimit të bëje ekspertizën e CD-ve të vendit të ngjarjes.

Pikërisht në bazë të këtyre udhëzimeve, Gjykatë e Pejës sot dha urdhër për ekzaminim ndërkombëtar të këtyre CD-ve.

Gjatë shqyrtimit të sotëm u dëgjuan katër dëshmitar, dy zyrtarë policor dhe dy familjar të Granit Elshanit.

Dëshmitari Dafnis Curri bëri gjatë dëshmisë së tij bëri përshkrimin e personit që kishte shtënë me armë atë natë në Diskotekë.

“Në brendësi të diskotekës nuk ka qenë dukshmëria e mirë, prej pozitës që unë e ka pa mu ka dok që aj ka qenë me gjatësi 1.70, ka qenë jo i plotë, dhe i veshur me dukës ngjyrë të zezë me kapele, dhe me një mjekër të vogël sa e mbaj mend”, tha Curri.

Dëshmitarit Dafnis Curri gjatë dhënies së dëshmisë iu prezantuan disa fotografi me të dyshuar të cilat i kishte parë.

Atëherë ky dëshmitarë kishte etiketuar një të dyshuar i cili sipas tij i ngjante me fizionominë e personit që kishte shtënë me armë.

Lidhur me ketë person Curri deklaroje se nuk e di se kush është.

Ndërsa Tahir Hysenaj, daja i të akuzuarit Granit Elshani, deklaroje në gjykatë se Graniti ishte në shtëpinë e tyre në Ramun gjatë natës kritike.

“ Graniti ka ardhëm tek në rreth orës 7-8 të mbrëmjes, kemi ngrënë drekë së bashku dhe pastaj me gruan time kemi shkuar tek miqtë që i kishim afër dhe pas 1 orë e gjysmë jemi kthyer përsëri në shtëpi ku e kemi gjetur Granitin, kam informacion se ai nuk ka lëvizur fare nga shtëpia”, tha Hysenaj.

Sikurse Tahiri njëjtë deklaroje edhe vajza e tij, Ilirana Hysenaj.

Ajo tha se graniti kishte shkuar rreth orës 6 dhe kishte qëndruar aty deri të nesërmen në mëngjes.

“Graniti ka ardhës rreth orës 5 në mbrëmje dhe ka qëndruar aty deri  sa kanë ardhur policia, pastaj është kthye prape dhe ka qëndruar deri të nesërmen në mëngjes ka ora 10 -11”, tha dëshmitarja.

Në cilësi të dëshmitarit u dëgjua edhe polici hetues Riza Mahaj, i cili e kishte arrestuar Granit Elshanin gjatë natës kritike.

Ai u pyet se çfarë kishte parë kur kishin shkuar për ta bastisur shtëpinë e Tahir Hysenit.

“Me kujtohet se kur e kemi bastisur shtëpinë, Tahiri dhe Graniti  ishin në dhomë, aty ishin dy shtretër të shtruar, dhe çka na ka bo përshtypje ishte dritarja e hapur në formë karakteristike pasi që ka qenë shumë ftoftë natë janari, kemi shikuar njëri tjetrin dhe kemi dyshuar se dikush ka pas mundësi që të del nga dritarja dhe të largohet”, tha Mahaj.

Në pyetjen e Avokates Kosovare Kelmendi se armen te cilën e kishin gjetur tek shtrati i Granit Elshanit a e kishin shikuar se a i vinte ndonjë erë pasi që nëse ishte shtënë me të duhet ti vinte era barut, dëshmitari deklaroje se nuk e kanë shikuar një gjë të tillë.

05/03/2019

Në gjykimin e Granit Elshanit për vrasjen e Besart Shabit, avokati Ndrec Dodaj shfaqi shqetësimin e tij se i biri i Naser Kelmendit, Elvisi mund të ndikoje në dëshmitar.

Shqetësimet e Avokatit erdhën pasi Elevisi u shfaqë në rrjetet sociale duke kërcënuar dhe duke sharë pjesëtaret e familjes Elshani.

https://video.gjirafa.com/konflikti-mes-familjeve-elshani-kelmendi-perfshihet-djali-i-naser-kelmendit-edit-mp4

Në ketë seancë poashtu u dëgjuan edhe tre dëshmitarë.

Fillimisht Valon Biba i cili ishte i pranishëm në lokalit ku mbeti i vrarë Besart Shabi tha se e kishte parë personin i cili kishte shtënë me armë por tani nuk është në gjendje ta identifikoje.

“Kemi biseduar pak pastaj ai është larguar, ndërsa unë jam kthyer duke biseduar me kolegun tim Nadin dhe atëherë janë dëgjuar disa krisma”, deklaroi dëshmitari Valon Biba.

“Në krismat e para nuk e kam parë personin, por kur kam kthy kokën e kam parë një person me dy armë në duar njërën në drejtim tonin e tjetrën përpjetë, atë e kam parë në profil dhe tash nuk jam në gjendje që ta identifikojë”- deklaroj Valoni.

Dëshmitari Esat Osmani para gjykatës e bëri përshkrimin e personit që kishte shtënë me armë.

“Personin që e kam parë unë duke gjuajtu.r, ka pasur pakës mjekër, jakne ngjyrë krem dhe rreth 80kg”, tha ai.

Në cilësi të dëshmitarit u dëgjua edhe Elbasan Hyseni, i afërm i të akuzuarit Granit Elshani.

Ai tha natën e 2 janarit së bashku me Granitin kishin qëndruar në shtëpinë e tij deri në momentin e bastisjes nga policia.

“Me datën 2 Janar 2010, Granitin e kam parë në shtëpinë time rreth orës 17:00 dhe ka qëndruar derisa ka ardhur Policia për bastisje dhe e ka arrestuar”, tha dëshmitari Elbasan Hyseni.

Gjatë dëshmisë së tij tha se nuk ka qenë në dijeni për konfliktin e djalit të hallës së tij me familjen Kelmendi por këtë e kishte kuptuar nga gazetat.

“Atëherë nuk kam pasur në dijeni për raportet e Granitit me Kelmendët, por tash e di sepse ka dalë në gazeta”, tha ai.

Granit Elshani akuzohet për vrasje të rëndë, tri tentim vrasje të rënda, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje.

Historia sipas aktakuzës

Granit Elshani i takon familjes Elshani nga Ozdrimi i Pejës, e cila në aktakuzën e prokurorisë pretendohet se ka hasmëri me familjen Kelmendi që nga viti 2000.

Në Maj të vitit 2018, Gjykata e Pejës e gjeti fajtor Granit Elshanin dhe e dënoi me 25 vjet burgim, mirëpo Gjykata e Apelit e ktheu rastin në rigjykim.

Në aktakuzën e prokurorit të EULEX-it, ishte përshkruar konflikti mes dy familjeve që kishte marrë jetën e 23 personave.

Aktakuza thotë se natën kritike Granit Elshani, shënjestër të vrasjes kishte anëtarin e familjes Kelmendi, Valdetin, por për fat të keq Besart Shabi kishte qëlluar afër tij.

Aktakuza shpjegon se në këtë konflikt familjesh kanë ndodhur 29 sulme të cilat kanë rezultuar me 23 të vrarë- 10 pjesëtarë të familjes Kelmendi, tre të familjes Elshani dhe dhjetë viktima të rastit, e në mesin e tyre edhe dy fëmijë.

Gjatë incidenteve ishin plagosur 38 persona, prej të cilëve 15 nga familja Kelmendi, shtatë nga familja Elshani dhe 16 viktima të rastit.

Në përballjen me gjykatën, Granit Elshani kishte mohuar se kishte qenë personi që kishte shtënë me armë zjarri në diskotekë.

https://kallxo.com/granit-elshani-deklarohet-pafajshem-per-vrasjen-e-vitit-2010/

 

.