VIDEO: Burg e gjobë për ish-inspektorin e ATK-së

Gjykimi ndaj Driton Fetahut ish-inspektor i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) e Bledar Haskut kontabilist, të akuzuar për vepra që ndërlidhen me korrupsion, ka marrë epilog, në Gjykatën e Gjakovës.

Driton Fetahu, u dënua me burgim prej 10 muajve dhe gjobë prej 1,200 eurove, që duhet t’i paguaj në afat prej një muaji.

Nga ky dënim, i dhënë nën udhëheqjen e trupit gjykues me kryetar Nikollë Komani dhe anëtar Drilon Haraçia dhe Njazi Morina, do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej datës 14 prill 2020 deri më 12 qershor 2020 si dhe koha e kaluar në arrest shtëpiak nga data 12 qershor 2020 deri më datën 10 tetor 2020.

Përveç kësaj, gjykata shqiptoi edhe dënimin plotësues “ndalimi i ushtrimit të funksioneve në Administratën Publike ose në Shërbim Publik në kohëzgjatje prej dy viteve”, i cili dënim do të ekzekutohet pas mbajtjes së dënimit me burg.

 

Po ashtu, Driton Fetahu është obliguar që t’ia kompensojë të dëmtuarit Aliriza Hasku dëmin prej 460 eurove, në afat prej një muaji.

Ndërsa, për të akuzuarin Bledar Hasku, i akuzuar për dhënie ryshfeti, prokurori Ali Uka, në fjalën përfundimtare kishte hequr dorë nga ndjekja penale.

https://kallxo.com/ligji/prokurori-heq-dore-nga-ndjekja-penale-e-te-akuzuarit-per-dhenie-te-mitos-kerkon-denimin-e-te-akuzuarit-per-marrje-te-mitos/

Kjo me arsyetimin se pas administrimit të provave materiale e formale si dhe pas dëshmisë së të dëmtuarit Aliriza Hasku, është vërtetuar se qëllimi i Bledar Haskut nuk ishte përfitimi i ndonjë dobie pasurore për vete apo për dikë tjetër.

Gjykata, para marrjes së këtij vendimi, fillimisht ka rikualifikuar veprën penale sa i përket të akuzuarit Driton Fetahu, nga kodi i ri në kodin e vjetër. Fetahu sipas aktakuzës së Prokurorisë së Gjakovës akuzohej me nenin 421 par.1 të KPRK-së, ndërsa iu ndryshua në nenin 428 par.1 i KPRK-së.

Neni 421 par.1 parashihte dënimin me gjobë dhe me burgim prej 1 viti deri në 8 vjet, ndërsa neni 428 par.1 parasheh dënimin me gjobë dhe me burgim prej 6 muaj deri në 5 vjet.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.

https://kallxo.com/ligji/ish-inspektori-i-akuzuar-i-atk-se-kerkoi-kohe-shtese-per-ta-dhene-mbrojtjen-e-tij-ne-gjykate/

Në këtë rast kishin dëshmuar familjarë të të dëmtuarit.

https://kallxo.com/ligji/degjohen-deshmitare-ne-gjykimin-ndaj-ish-inspektorit-te-atk-se/

Një seancë ishte shtyrë për shkak të mungesës së avokatit.

https://kallxo.com/uncategorized/gjakove-caktohet-data-per-seancen-ndaj-ish-inspektorit-te-atk-se/

Një seancë tjetër ishte shtyrë për përmirësim të aktakuzës.

https://kallxo.com/ligji/gjakove-prokurori-kerkon-shtyrjen-e-seances-per-permiresim-te-aktakuzes/

Nga përmirësimi i aktakuzës, i akuzuari Driton Fetahu ngarkohej me veprën penale të marrjes së ryshfetit, ndërsa Bledar Hasku për dhënie të ryshfetit.

Para ricilësimit të aktakuzës, Driton Fetahu ngarkohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa për veprën penale të marrjes së ryshfetit ngarkoheshin që të dy.

Ai ishte arrestuar dhe prangosur në muajin prill bashkë me Bledar Haskun nga komuna e Rahovecit.

https://kallxo.com/lajm/inspektori-i-atk-se-i-arrestuar-per-ryshfet-neser-del-para-gjykates/

Sipas aktakuzës i pandehuri Driton Fetahu, në muajin janar të vitit 2019 në punëtorinë e zdrukthëtarisë “Beha”, në Rahovec, pronë e të dëmtuarit Aliriza Hasku, kishte shkuar në cilësinë e inspektorit të ATK-së në Prizren dhe përmes të pandehurit tjetër Bledar Hasku, i cili ka qenë në cilësinë e kontabilistit në po këtë punëtori, të dëmtuarit Aliriza Hasku ia kishte marrë 100 euro, 1 tavolinë dhe 4 karrige në vlerë prej 360 eurove.

Në aktakuzë thuhet se të gjitha këto i pandehuri Bledar Hasku, ia kishte dhënë Driton Fetahut, ndërsa në muajin prill të vitit 2020 Bledar Hasku, nga i dëmtuari Aliriza Hasku kishte marrë edhe 100 euro të tjera.

Bashkë me Driton Fetahun, ishte arrestuar edhe kontabilisti Bledar Hasku, i cili më pas ishte liruar në procedurë të rregullt.

https://kallxo.com/lajm/inspektori-i-atk-se-i-arrestuar-per-ryshfet-neser-del-para-gjykates/

Ish-inspektori Driton Fetahu, menjëherë më pas ishte suspenduar nga Administrata Tatimore e Kosovës.

https://kallxo.com/lajm/atk-suspendon-inspektorin-e-arrestuar-per-ryshfet/

https://kallxo.com/ligji/i-vazhdohet-paraburgimi-ish-inspektorit-te-atk-se-i-dyshuar-per-marrje-ryshfeti/