Ish-inspektori i akuzuar i ATK-së kërkoi kohë shtesë për ta dhënë mbrojtjen e tij në Gjykatë

Në gjykimin ndaj Driton Fetahu, ish-inspektor i ATK-së e Bledar Hasku kontabilist, të akuzuar për vepra qe ndërlidhen me korrupsion, u lexuan shkresat e lëndes dhe u dëgjua një videoinçizim.

Driton Fetahu po akuzohet për marrje ryshfeti, ndërsa Bledar Hasku për dhënje ryshfeti.

Në seancën e sotme, fillimisht u lexuan provat në shkresat e lëndës, e pastaj pas propozimit të prokurorit Ali Uka, u shikua e një videoinçizim në mes të dëmtuarit Aliriza Hasku dhe të akuzuarit Bledar Hasku.

Për këtë videoinçizim, ku dëgjoheshin i dëmtuari Aliriza Hasku dhe i akuzuari Bledar Hasku duke biseduar, gjykata urdhëroi përkthyesin e gjykatës që këtë bisedë të e transkriptoj për palët.

Mbrojtësi i të akuzuarit Driton Fetahu, avokati Driton Shehu propozoi që nga ATK-ja të nxirren të dhënat se i akuzuari Fetahu a ka qenë zyrtarisht i angazhuar të shkojë si inspektor në punëtorinë e të dëmtuarit Aliriza Hasku, ndërsa gjykata e refuzoi një propozim të tillë, me arsyetimin se i akuzuari ngarkohet me akuzën për marrje ryshfeti, e jo për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Para se të vazhdohej me mbrojtjen e të akuzuarve, mbrojtësi i të akuzuarit Driton Fetahu avokati Driton Shehu, kërkoi që seanca e sotme të shtyhet, me arsyetimin se të mbrojturit të tij i duhet kohë për përgatitjen e mbrojtjes së tij.

Duke aprovuar propozimin e mbrojtjes, trupi gjykues i përbërë nga kryetari Nikollë Komani dhe anëtarët Njazi Morina e Drilon Haraçia, caktuan datën 26 mars për mbrojtjen e të akuzuarve.

Në seancën e kaluar kishin dëshmuar familjarë të të dëmtuarit.

Një seancë ishte shtyrë për shkak të mungesës së avokatit.

Një seancë tjetër ishte shtyrë për përmirësim të aktakuzës.

Nga përmirësimi i aktakuzës, Driton Fetahu ngarkohet me veprën penale të marrjes së ryshfetit, ndërsa Bledar Hasku për dhënje të ryshfetit.

Para ricilësimit të aktakuzës, Driton Fetahu ngarkohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa për veprën penale të marrjes së ryshfetit ngarkoheshin që të dy.

Ai ishte arrestuar dhe prangosur në muajin prill bashkë me Bledar Haskun nga komuna e Rahovecit.

Sipas aktakuzës i pandehuri Driton Fetahu, në muajin janar të vitit 2019 në punëtorinë e zdrukthëtarisë “Beha”, në Rahovec, pronë e të dëmtuarit Aliriza Hasku, kishte shkuar në cilësinë e inspektorit të ATK-së në Prizren dhe përmes të pandehurit tjetër Bledar Hasku, i cili ka qenë në cilësinë e kontabilistit në po këtë punëtori, të dëmtuarit Aliriza Hasku ia kishte marrë 100 euro, 1 tavolinë dhe 4 karriga në vlerë prej 360 eurove.

Në aktakuzë thuhet se të gjitha këto i pandehuri Bledar Hasku, ia kishte dhënë Driton Fetahut, ndërsa në muajin prill të vitit 2020 Bledar Hasku, nga i dëmtuari Aliriza Hasku kishte marrë edhe 100 euro të tjera.

Bashkë me Driton Fetahu, ishte arrestuar edhe kontabilisti Bledar Hasku, i cili më pas ishte liruar në procedurë të rregullt.

Ish-inspektori Driton Fetahu, menjëherë më pas ishte suspenduar nga Administrata Tatimore e Kosovës.