Prokurori heq dorë nga ndjekja penale e të akuzuarit për dhënie të mitos, kërkon dënimin e të akuzuarit për marrje të mitos

Prokurori i Gjakovës, Ali Uka ka hequr dorë nga ndjekja penale ndaj të akuzuarit për dhënie të mitos, Bledar Haskut.

Për të e akuzuarin tjetër, ish-inspektorin e ATK-së, Driton Fetahu, prokurori kërkoi nga gjykata që i njëjti të dënohet sipas ligjit.

Driton Fetahu akuzohet për marrje ryshfeti, ndërsa Bledar Hasku akuzohej për dhënie ryshfeti.

Në arsyetimin e tij, prokurori Uka deklaroi se pas administrimit të provave materiale e formale si dhe pas dëshmisë së të dëmtuarit Aliriza Hasku është vërtetuar se qëllimi i Bledar Haskut nuk ishte përfitimi i ndonjë dobie pasurore për vete apo për dikë tjetër.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Driton Fetahu, avokati Driton Shehu tha se me asnjë provë nuk është vërtetuar fajësia e klientit të tij.

“Prokuroria nuk ka asnjë provë të vetme se i mbrojturi im e ka kryer veprën penale të marrjes së ryshfetit, e ndaj të akuzuarit të dytë i njëjti prokuror hoqi dorë nga ndjekja penale, e në këtë rast vepra penale e marrjes së ryshfetit nuk mund të kryhet pa veprën dhëne e ryshfetit”, deklaroi avokati Driton Shehu.

Shehu, kërkoi nga gjykata që ish-inspektorin Driton Fetahu, ta liroj nga akuza e Prokurorisë.

Mirëpo, Driton Fetahu tha se që nga arrestimi i tij është bërë një montim i procesit.

“Zyrtari Sebedin Shkreli, i cili ishte prezantuar se është oficer policor më ka thënë të lajmërohem në stacion policor në Prizren, e prej aty më ka thënë që duhet të shkojë në Gjakovë pa më treguar arsyen, e nga kjo vërehet se është një montim i këtij procesi. Kur kam ardhë në stacionin policor në Gjakovë kanë ushtruar një presion psiqik ndaj meje që ta pranoj veprën, ata me çdo kusht kanë tentuar të më bindin ta pranoi veprën dhe të hy në marrëveshje për pranim fajësie me prokurorin”, deklaroi i akuzuari Driton Fetahu.

I akuzuari Fetahu, tha se mbrapa kësaj loje qëndron dikush, për të cilin nuk është në dijeni.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Bledar Hasku, avokati Ndrec Dodaj deklaroi se nuk ka çka të deklaroj pasi që prokurori hoqi dorë nga akuza, por që i njëjti këtë veprim do të duhej ta bënte më herët.

“Këtu ka qenë dashur të jetë i akuzuar vetë i dëmtuari Aliriza Hasku”, tha avokati Ndrec Dodaj.

Shpallja e aktgjykimit u caktua me datën 27 prill.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast – LINK